Ministry of Agriculture and Rural Development

Investimet e qeverisë në bujqësi, kryeministri Rama dhe ministrja Ekonomi vizitë në 2 kompani në Maminas

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe drejtoreshën e AZHBR Frida Krifca u ndalën sot në Maminas, në dy kompani, “Kronos” dhe “Agro-Koni”, të cilat kanë përfituar grante nga fondet e qeverisë shqiptare për zhvillimin e bujqësisë.

Ndalesa e parë ishte në kompaninë “Kronos” e cila pas suksesit në agrikulturë, prej 3 vitesh po investon në sektorin bujqësor.

Me një fond prej 83 mln lekë financuar nga AZHBR përmes Programit IPARD II, kjo kompani ka ngritur një pikë moderne grumbullimi 3013.9m2, me dhoma frigoriferike të standardeve për mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin e fruta-perimeve në kushte optimale cilësie. Kryeministri Rama vlerësoi investimin e kryer për përpunimin e produkteve si transformuese, pasi ka krijuar një platformë të re në bujqësi duke lehtësuar fermerët.

Drejtuesi i Kompanisë “Kronos” ka shpjeguar se kjo pikë grumbullimi do të shërbejë dhe për 250 fermerët e zonës. Produktet e përpunuara do të tregtohen më pas në tregun vendas dhe atë të huaj.

Në vizitën e dytë, kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi u ndal në një tjetër investim, atë të kompanisë “Agro-Koni” e cila me fondet e AZHBR përmes Programit IPARD II, ka ndërtuar një serrë ultramoderne për prodhimin e fidaneve perimorë me një sipërfaqe prej 3,993 m2.

Serra është e pajisur me një sistem digjital ngrohjeje, ventilimi, ujitjeje me karel lëvizës, ekran termik, plastmas dhe çdo element tjetër që pëmban një serrë sipas standardeve të BE-së.

Drejtuesi i kompanisë “Agro-Koni”, Ruzhdi Koni ka falenderouar kryeministrin Rama për mbështetjen që qeveria po i jep fermerit. Koni ka theksuar se serra e re do të ofrojë prodhim jo vetëm për fermerët e zonës por të gjithë Shqipërisë.

Ministrja Ekonomi theksoi se kjo kompani ofron dhe trajnime për fermerët e zonës në mënyrën e prodhimit të bimëve, duke përcjellë jo vetëm njohuritë por dhe përvojën e saj në këtë drejtim.{:}