Ministry of Agriculture and Rural Development

Ka filluar sot zbatimi i skemave të grantit të projektit “Fishing Blue”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ku janë firmosur kontratat e para me 20 flotat e peshkimit të shpallura fituese.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ministrinë e Bujqësisë, merrte pjesë dhe ministrja e MBZHR Milva Ekonomi, drejtuesi i projektit “Fishing Blue”, Arjan Palluqi si dhe përfaqësues të flotave të peshkimit, fitues të granteve të skemës.
Ministrja Ekonomi vlerësoi arritjet në sektorin e peshkimit gjatë vitit të shkuar, ndonëse një vit i vështirë për ekonominë jo vetëm shqiptare, si pasojë e pandemisë së COVID 19.
Ekonomi i përgëzoi drejtuesit e flotave të peshkimit për rritjen e prodhimeve të eksportit nga ky sektor duke ndikuar direkt në zhvillimin e ekonomisë shqiptare,
Nga ana tjetër ajo premtoi se mbështetja e qeverisë për sektorin e peshkimit do të vijojë dhe me skema të tjera në dobi të sektorit. Ministrja Ekonomi përmendi dhe ndërtimin e dy porteve, në Durrës dhe Vlorë që do të ndikojnë në zhvillimin e sektorit.
“Besoj se nafta pa taksa ka qenë një mbështetje e mirë për ju. Edhe heqja e TVSH-së nga 27 produktet që ju duhen në aktivitetin tuaj të peshkimit ka qenë një ndihmë e madhe por edhe trajnimet që keni bërë në bashkëpunim me ne për peshkatarët e rinj apo kapitenët e rinj, besoj se ndihmon flotën të ecë përpara. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe me mbështetjen ndërkombëtare për fuqizimin e flotës shqiptare”, tha ministrja Ekonomi.
Ekonomi tha se përmes projektit “Fishing Blue” që po zbatohet me fondet e Bashkimit Evropian, i cili jep një mbështetje prej 1,4 milionë Euro, synohet përmirësimi i menaxhimit dhe mbrojtjes së burimeve të peshkimit në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së.
Sipas saj, përveç mbështetjes për administratën e peshkimit, projekti përfshin hartimin dhe zbatimin e një skeme grantesh për investimet në flotën e peshkimit me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së saj, pa rritur sforcon e peshkimit.
I pari që ka firmosur kontratën për përfitimin e grantit nga projekti “Fishing Blue” ishte peshkatari Romali Berberi.
Për këtë vit, nga 66 aplikime në sektorin e peshkimit, janë shpallur fitues të granteve nga projekti “Fishing Blue”, 64 flota të anijeve të peshkimit.

[metaslider id=19313]{:}