Ministry of Agriculture and Rural Development

“Ekonomia në fokus”, Rama dhe Ekonomi: Në 2020 shifër rekord eksportesh, investimet rritën prodhimet bujqësore

Në konferencën e radhës “Ekonomia në fokus”, ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi ka përmendur disa prej rezultateve të reformave të kryera në sektorin e bujqësisë.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar treguesit pozitivë në sektorin bujqësor duke theksuar se gjysma e asaj që importohej më parë është zëvendësuar me atë që prodhohet në vend.

“Sot, nëse shohim të gjithë elementët e mbështetjes që qeveria garanton për njerëzit që punojnë tokën, mbështetja është e shtrirë nga A-ja tek Zh-ja me dhënien e naftës falas për fermerët në sasinë e barabartë me çka ata dje paguanin për taksën e qarkullimit, për taksën e mjedisit dhe për akcizën brenda çmimit të naftës, faktikisht, mbështetja është e strukturuar për të gjithë elementët e vet njësoj si në çdo vend të BE-së. Patjetër që sasia e mbështetjes duhet rritur, do të vijë duke u rritur pa diskutim, por kjo rritje bazohet tek rritja e mundësive dhe mundësitë rriten me punë”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërkohë Ministrja Ekonomi theksoi se sektori I bujqësisë është një kontribues I qëndrueshëm në prodhimin e brëndshëm bruto dhe angazhon 35-37 % të forcës së punës. Prodhimet bujqësore në vitin 2019 shënuan një rritje me 17 % në raport me vitin 2013.

Një tregues pozitiv në zhvillimin e bujqësisë janë eksportet të cilat në vitin 2020 u rritën me 145 % në raport me vitin 2013 dhe produktet shqiptare tashmë tregtohen në 75 vende të botës, në BE dhe jashtë saj, deri në SHBA, Kinë dhe Hong-Kong.

Ministrja Ekonomi nënvizoi si pozitive dhe arritjet në sektorin e peshkimit, ku në vitin 2019 produktet e peshkut u rritën me 61.8 %. Kjo rritje e prodhimit, coi dhe në rritjen e eksporteve, të cilët arritën një shifër rekord prej 100 milion Euro.

“Kjo është meritë jo vetëm e punës së peshkatarëve, por dhe e lehtësimit të masave që janë marrë për ta në këto vite”, theksoi ministrja Ekonomi.

Sipas saj, treguesit pozitivë të arritur në 2019 në bujqësi janë falë edhe investimeve të zgjuara të zhvilluara prej qeverisë shqiptare. Ministrja Ekonomi tha se investimet e zgjuara kanë të bëjnë me faktin se disa prej tyre duhet ti takojnë të gjithë klasës së fermerëve, shtrihen horizontalisht dhe disa të tjera duhet të jenë të fokusuara në nevoja specifike.

“Sa i takon investimeve për të gjithë klasën e fermerëve qeveria akordoi një fond prej 19.5 mld leke për të bërë investime në sipërfaqen e tokës arë, për ta bërë të ujitshme. Nga viti 2013 deri në 2020 sipërfaqja e tokës së ujitshme është rritur nga 120 mijë ha në 2013 në 255 mijë ha, ndërsa sipërfaqja totale kulluese është sot 230 ha” tha ministrja Ekonomi.Ndërsa

Po ashtu, sipas ministres Ekonomi, një rol të rëndësishëm në zhvillimin e bujqësisë kanë luajtur, incentivat që lehtësuan barrën fiskale të fermerit; si heqja e TVSH për inputet bujqësore dhe kafshët e gjalla në majmëri, të cilat i kursyen fermerëve 16 milion $, heqja e tvsh për makinat bujqësore si në import dhe brenda vendit, heqja e tvsh për 27 zëra doganore të peshkimit, për rrjetat, pompat, motorët e anijeve etj. Sëfundmi anijet shqiptare të peshkimit janë pajisur edhe me sistemin e monitorimit blue box.

Ministrja Ekonomi theksoi në fjalën e saj se një tjetër ndërhyrje e qeverisë që ka ndikuar në rritjen e prodhimit dhe eksporteve bujqësore është mbështetja e dhënë nga Skemat Kombëtare për periudhën 2013-2020, vunë në dispozicion të fermerit 8.5 miliard lekë dhe programi IPARD ku në dispozicion janë 139 milion Euro për fermerët që prodhojnë bimë arash, perime në serrë, grumbullojnë dhë përpunojnë produkte bujqësore.

Sipas saj, një prej masave më të fundit në ndihmë të fermerit është skema e përfitimit të naftës falas ku qeveria ka akorduar një fond prej 9.5 mld lekë për fermerët dhe ka lehëtsuar aplikimin nëpërmjet portalit e-albania për cdo fermer që ka NIPT aktiv.

Ministrja Ekonomi tha se interesi ka qenë mjaft i lartë për këtë skemë tek fermerët në mbarë vendin. “Nga data 15 janar kur ka nisur aplikimi për naftën falas, janë mbi 3200 fermerë të regjistruar në portalin e-albania”.

Në fushën e sigurisë ushqimore, ministrja Ekonomi përmendi si mjaft të rëndësishme reformën veterinare, e cila synon integrimin e të gjitha hallkave të këtij sektori. Ministrja Ekonomi tha se për herë të parë në sistem janë futur dhe veterinerë të porsadiplomuar ku nga 430 veterinerë në mbarë vendin, 303 prej tyre janë të rinj që sapo kanë mbaruar universitetin të cilët shërbejnë në mbarë vendin. Sot blegtorët shqiptar përfitojnë matrikullimin, vaksinimin dhe ndjekjen epidmiologjike të kafshëve falas, duke i kursyer rreth 3.6 milion $ shpenzime vjetore.

Në mbyllje të fjalës së saj Ministrja Ekonomi evidentojë faktin se në 2020, ISUV-i ka arritur të realizojë 103 teste të reja, krahasuar me vetëm 49 që ishin në vitin 2013, duke rritur kështu sigurinë ushqimore dhe garantuar cilësine e produkteve shqiptare.{:}