Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi zhvilloi sot një takim bilateral në ambientet e MBZHR me ministrin turk të Bujqësisë Bekir Pakdemirli gjatë së cilës u firmos marrëveshja e grantit mes dy vendeve mbi dhurimin e disa pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave në sipërfaqet e tokave.
Ministrja Ekonomi tha në takim se marrëdhëniet dypalëshe në fushën e bujqësisë me Republikën e Turqisë të cilat janë zhvilluar në mënyrë pozitive.

“Ishte kënaqësi e madhe për mua që ju erdhët sot në Shqipëri dhe ne ndamë disa momente të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin e qeverisë tuaj për mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar në shumë fusha por sot jemi fokusuar tek fusha e bujqësisë sidomos në këto momente.
E çmoj shumë dhuratën që po i bëni MBZHR me pajisje që ndihmojnë për të përballuar situatën e e prezencës së ujit në tokat bujqësore duke ndihmuar si ujitjen dhe kullimin e sipërfaqes së tokës bujqësore të punueshme. Por bashkëpunimi ynë nuk qëndron vetëm këtu, bashkëpunimi ynë është më i gjerë se kaq sepse për ne është e rëndësishme transferimi i dijeve të ekspertizës së bujqësisë turke përkarshi ekpertizës së nevojshme në bujqësinë shqiptare”, u shpreh ministrja e MBZHR, Milva Ekonomi.

Edhe ministri turk i Bujqësisë Bekir Pakdemirli u shpreh i kënaqur që ndodhej në Shqipëri, të cilën ai e cilësoi vend mik e vëlla. Homologu turk u shpreh se sot ai ka takuar dhe kryeministrin e vendit Edi Rama.
“Ajo që sapo kemi nënshkruar me ministren e Bujqësisë është një paketë ndihmë, një grant ndihmë për MBZHR për tu mbrojtur nga çdo rrezik natyror. Ne do të kishim shumë dëshirë që pajisjet që janë rrugës, të vinin para nesh këtu. Ne angazhohemi të vazhdojmë me korrektësi bashkëpunimin me palën shqiptare kryesisht në shkëmbimin e informacionit e dijes dhe njëkohësisht do tju qëndrojmë pranë me të gjitha mundësitë tona. Besoj dhe shpresoj se shumë shpejt do të kemi bashkëpunim mes dy universiteteve, tashmë do të ndërtohen dhe ura bashkëpunimi dhe në fushën e arsimit universitar. Ndër temat që kemi diskutuar dhe kemi arritur në konkluzionin e përbashkët, janë bujqësia, blegtoria, pylltarizimi si dhe bashkëpunimi mes universiteteve duke u bazuar tek njëri-tjetri në mënyrë reciproke. Ne do të vazhdojmë të jemi aktiv në të gjitha format tona dhe aktualisht sot ky financim donacion i TIKA, njëkohësisht kemi dhe kantierin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Laçit. Kështu që Turqia do të vazhdojë me të gjitha mënyrat të mbështesë Shqipërinë”, tha gjatë takimit ministri turk.

Në takimin me ministrin turk të Bujqësisë u diskutua për mbështetjen në disa fusha të së ardhmes që lidhen me zhvillimin strategjik të disa sektorëve të bujqësisë përmes dhënies së asistencës teknike nga ekspertë të spikatur të këtyre fushave në Turqi. Një tjetër bashkëpunim për të cilin u diskutua në takim ishte dhe mbështetja që do të japë Turqia për krijimin e disa platformave digjitale për të pasur në kohë reale çmimin e inputeve dhe produkteve bujqësore për të ndihmuar fermerët në vendimarrje. Pika e tretë e rëndësishme e diskutimit me palën turke ishte mundësia e bashkëpunimit me Universitetin Bujqësor për disa sektorë që ndihmojnë më shumë në forcimin e madhësisë së fermës, konsolidimit të tyre si dhe në rritjen e eksporteve si me bazë bujqësore, blegtorale dhe peshkimin. Palët në takim u angazhuan që këto bashkëpunime ti shohin me prioritet duke parë nevojat specifike në disa sektorë por dhe ndërhyrjen në sektorë të tjerë që kanë nevojë për asistencë teknike dhe investime në të ardhmen

Në fushën e marrëdhënieve tregtare, gjatë vitit 2020 në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit eksportet e produkteve bujqësore u rritën me 24.3 përqind, ndërsa importet u ulën me 3.8 përqind krahasuar me vitin 2019.

Produktet më të eksportuara drejt Turqisë janë produktet e freskëta si: Bimet medicinale, erëza, duhan i papërpunuar, etj.

[metaslider id=”19157″]{:}