Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi sot një interpelancë qytetare me fermerë të qarqeve të ndryshme në vend. Ministrja Ekonomi iu përgjigj interesimit të fermerëve në lidhje me ecurinë e procesit të aplikimit për kartën falas i cili është shtyrë deri më 30 mars.
Ekonomi falenderoi punën e bërë nga fermerët për rritjen e prodhimit bujqësor gjatë vitit më të vështirë në ekonomi si pasojë e pandemisë, vitit 2020.
“Eksportet gjatë vitit të shkuar u rritën dhe u zgjeruan në treg të huaj në 75 tregje evropiane e të gjithë botën.
Nëse në vitin 2017, raporti ekport-import ishte 1 me 3.6 sot është 1 me 2.3 dhe kjo është një arritje.
Sot ne kemi 255 hektarë tokë të punueshme që është sipërfaqe e ujitshme dhe sipërfaqja e serave është më shumë se 1700 hektarë që e bën ciklin e prodhimit më të plotë.
Pyetjes së fermerëve nëse do të ketë skema të tjera mbështetëse përvec kartës së naftës falas, ministrja Ekonomi iu përgjigj se skemat mbështetëse të qeverisë do të vijojnë të aplikohen në ndihmë të zhvillimit rural.
“Mbështetja e qeverisë ka funksionuar si me IPARD, si me skemat kombëtare dhe tani me skemën e naftës e cila është risia më e fundit e skemës mbështetëse për fermerin shqiptar në të cilin ju jeni aplikues.
Këtë vit aplikojmë sërish skemën e mbështetjes kombëtare e cila fillon më 15 mars dhe rri e hapur deri në fund të javës së parë të prillit. Qëllimi ynë kryesor është të rrisim eksportet vendase dhe të japim një dimension dhe më të fortë në ndihmë të zhvillimit rural. Duhet të themi që nga skemat kombëtare gjatë këtyre katër viteve që po lëmë pas, kemi pasur përfitues që shjkojnë në 17 mijë fermerë”, tha ministrja Ekonomi.
Pyetjes së një fermeri nga Shkodra, nëse skema e ndihmës me naftë falas do të vijojë dhe vitin e ardhshëm ministrja Ekonomi iu përgjigj se në prioritetet e qeverisë është pikërisht vazhdimësia e kësaj mase mbështetëse.
“Unë mendoj që kjo përpjekje që bëmë këtë vit për të ngritur skemën e naftës falas për fermerët ishte një përpjekje e rëndësishme që lidhej me dy financime. E para, me sasinë e parave që u vunë në dispozicion të skemës mbështetëse që është afro 10 mln dollarë dhe prioriteti i dytë kishte të bënte me ngritjen e sistemit të skemës së naftës i cili është një sistem që funksionon midis MBZHR, AKSH dhe Kadastrës Shtetërore.
Ndërkohë ngritja e këtij sistemi tregon se në të ardhmen kjo punë do të jetë edhe më e lehtë për të bërë aplikimin se këtë vit. Qeveria ka marrë angazhimin që nga viti në vit të aplikojë skemën e naftës për fermerët, sistemi është gati dhe sasitë e parave që do të vihen në dispozicion të skemës të rriten nga viti në vit”, tha Ekonomi.
Sa i takon shqetësimit të një fermeri nga njësia Dvoran e Korçës që kultivon mollë për heqjen e TVSH për rrjetat antibreshër, ministrja Ekonomi u shpreh se lehtësimi i barrës fiskale për fermerët që kultivojnë produkte eksporti si mollët e mandarinat do të jetë prioritet i MBZHR në paketën fiskale që do të propozojë për bujqësinë pranë ministrisë së Financave. {:}