Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur sot se eksportet bujqësore shënuan rritje me 17,5 % në vlerë, gjatë 8-mujorit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Referuar raportit të Tregtisë së Jashtme, të publikuar nga INSTAT gjatë kësaj jave, rezulton se eksportet e produkteve bujqësore të grupmallrave “Ushqim, pije, duhan” gjatë 8-mujorit (Janar-Gusht 2023)  shënuan rritje në vlerë  38.44 miliardë lekë nga 32.73 miliardë lekë që ishin në 8-mujorin 2022.

Statistikat konfirmojnë se bujqësia është sektori me ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit, duke vijuar trendin rritës.

“Ushqimet, pijet dhe duhani” janë sektori që kanë pasur ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit. Në korrik ky grup i rriti eksportet me gati 20%. Megjithatë në gusht, ky grup shënoi një rënie relativisht të fortë me 9.7% me bazë vjetore, si rrjedhojë e motit të pafavorshëm që ndikoi në reduktimin e prodhimit.

Gjithsesi për 8 mujorin, ky grup është zgjeruar me 17.5%, duke pasur ecurinë më të mirë, ndërsa mbetet i katërti më i madh me 12.8% të totalit.

Politikat e mbështetjes ndaj fermerëve, bujqësisë dhe zhvillimit rural, kanë  nxitur prodhimit vendas, rritjen e cilësisë dhe të standardeve për produktet “Made in Albania”, që po konkurrojnë për cilësinë e lartë edhe në tregjet e sofistikuara me vlerë të shtuar të Evropës dhe më gjerë.

Rritja e prodhimit vendas ka dhënë ndikim edhe në përmirësimin e bilancit tragtar për bujqësisë duke shënuar rënie të importeve.

Kështu sipas INSTAT: Gjatë 8-Mujorit (Janar-Gusht 2023) importet e grupmallrave “Ushqim, pije, duhan” shënuan ulje me -3.7% (nga 99.36 miliardë lekë në 8M 2022, në 95.69 miliardë lekë në 8M 2023).

Gjithashtu gjatë muajit Gusht 2023 importet e grupmallrave “Ushqim, pije, duhan” shënuan ulje në vlerë me -4.3% (nga 13.81 miliardë lekë  në Gusht 2022, në 13.21 miliardë lekë në Gusht 2023).{:}