Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka qenë dje në shkollën 9 vjeçare “Ismail Qemali”, të qytetit të Korçës, pjesë e projektit “Fruta të Freskëta në shkollë”. Ky projekt i Ministrisë së Bujqësisë është i mbështetur nga organizata “World Vision” në bashkëpunim me bashkitë e ndryshme të vendit dhe ka fillluar në kuadrin e fushtatës të sensibilizimit për ushqim të shëndetshëm, shëndetit të fëmijëve dhe sigurisë ushqimore në shkolla.

“Ka filluar prej tetorit, sot jemi në shkollën “Ismail Qemali” këtu në Korçë. Është një prej shtatë shkollave të para, një pjesë e tyre janë në Vlorë, një pjesë e tyre janë në Korçë, por menjëherë do të vazhdojmë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, dhe të paktën dy-tre shkolla si fillim në çdo qytet. Do të vazhdojmë me Maliqin, me Elbasanin, me Lushnjën, Përmetin, Durrësin, Dibrën, Shkodrën, Tiranën. Pra po mundohemi të përhapemi në gjithë Shqipërinë, me një program të thjeshtë, i cili dy herë në javë, jep të paktën një frut nxënësve të shkollave pjesëtare të këtij programi.” Ka thënë ministri Peleshi.

Projekti synon kthimin në një edukatë të ushqyerit të konsumimit frutave të freskëta, të cilat do  t’u shpërndahen fëmijëve falas, me qëllim jo vetëm të ndihmojë nga ana ekonomike, por edhe të shërbejë si shtysë për një jetë më të shëndetshme. Ministri Peleshi është shprehur shumë i kënaqur që ky projekt modest nga ana e buxhetit, po gjen mbështetjen dhe tek donatorë dhe subjekte të ndryshme, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë financiarisht këtë nismë inovative dhe edukuese.{:}