Ministry of Agriculture and Rural Development

Përurohet inkubatori i dytë i prodhimeve tipike

Pas modelit të suksesshëm të inkubatorit të parë të prodhimeve tipike në Përmet, të përuruar dy javë më parë, ka hapur dyert dhe inkubatori i dytë i prodhimeve tipike, në Reç të qarkut Shkodër, një mundësi e artë për fermerët dhe amvisat shqiptare për të prodhuar produktet tipike me metoda tradicionale me standarde dhe të çertifikuara sipas kërkesave të sigurisë ushqimore, duke u garantuar kështu dhe aksesin në treg.

Gjatë ceremonisë së përurimit ku merrnin pjesë përfaqësues të lartë të pushtetit qendror dhe lokal, Ambasadori italian në Tiranë, z. Alberto Cutillo, Drejtorja e AZHBR-së, znj Frida Krifca etj, ministri Peleshi u shpreh se ishte shumë i emocionuar për këtë model, i cili në thelb do të jetë imazhi i Shqipërisë rurale të së nesërmes.

“Është me të vërtetë emocionuese të shikosh një investim që është modest në fakt, por është shumë i rëndësishëm për nesër. Sepse kjo që po shohim dhe po përurojmë sot këtu, në fakt është Shqipëria rurale e së nesërmes. Një hapësirë rurale ku fermerët, nuk janë secili në punët e veta, por bashkohen për t’u bërë më të fuqishëm, bashkon për të prodhuar më shumë, më mirë dhe natyrisht për të siguruar të ardhura më të larta që vijnë vetëm përmes bashkëpunimit. Dhe këtu unë dua që të fillim të falenderoj një kontribut të vyer të Kooperacionit Italian të organizatave italiane si VIS, opo CEZVI në Përmet, apo disa organizata të tjera, kryesisht në zonën e Shkodrës apo Malsisë së Madhe, që kanë punuar prej vitesh për ta bërë të mundur atë që po ndodhë sot këtu, falë vëmendjes së qeverisë shqiptare, ministrisë sonë, përmes AZHBR-së.”

Ministri ka ftuar të gjithë të interesuarit që të përqafojnë modele dhe nisma të tilla, të cilat jo vetëm do të shtojnë të ardhurat, prodhimin, por do të forcojnë kooperimin ndërmjet fermerëve në menaxhimin e ekonomisë rurale. Inkubatori konsiston në një linjë për tharje dhe ambalazhim e gështenjave dhe që do të menaxhohet nga organizata Agro Reçi.

“Dua të them që në qoftë se nuk do të ekzistonte AgroReçi, nuk do ta kishim të mundur të ndërtonim këtë punishte, këtë inkubator, sepse nuk kishte kush ta menaxhonte dhe të aplikonte… Kemi shumë pak organizime të tilla të fermerëve. Numërohen me gishtat e të dy duarve në gjithë Shqipërinë, ndërkohë që duhet të ishin dhjetëra dhe qindra. Pra, kjo që po ndodh këtu është një model për t’u duartrokitur, për t’u përshëndetur dhe për t’u përsëritur pastaj. Për t’u replikuar në gjithë Shqipërinë.”{:}