Ministry of Agriculture and Rural Development

5 milionë euro do të investohen nga Bashkimi Europian në një projekt 4-vjeçar në mbështetje të sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe standardeve fitosanitare në Shqipëri. Lajmin e jep ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, Bledi Cuçi. Sot ai zhvilloi një takim me kreun e ‘AKU-së irlandeze’, institucioni i dytë në botë me standarde më të larta për sigurinë ushqimore.
“Sot prita në takim z.Ray Ellard, drejtor i Autoritetit të Sigurisë Ushqimore në Irlandë. Ky institucion është një nga më të njohurit në botë kur vjen fjala tek siguria ushqimore. Diskutuam për modelin organizativ të sigurisë ushqimore dhe shërbimit veterinar në Irlandë, me qëllim zbatimin në vendin tonë të praktikave më të mira në këtë drejtim. Ministria e Bujqësisë, AKU dhe ISUV do të bashkëpunojnë ngushtësisht me këtë institucion, si dhe homologët nga Finlanda që janë pjesë e konsorciumit për zbatimin e projektit me kohëzgjatje 4-vjeçare. Ne kemi shumë për të mësuar nga historitë e tyre të suksesit dhe natyrisht nuk duhet të përsërisim dështimet”, thotë ministri Çuçi, duke theksuar gjithashtu se siguria ushqimore mbetet një prioritet i padiskutueshëm për institucionin që ai drejton. Ministri i ri i Bujqësisë paralajmëron gjithashtu zero tolerencë për këdo që abuzon me sigurinë ushqimore.
Projekti në fjalë do të ndihmojë edhe në përafrimin e standardeve të sigurisë ushqimore me ato të vendeve të BE-së.{:}