Ministry of Agriculture and Rural Development

[metaslider id=”16629″]

Në Liqenin e Ohrit ka nisur hedhja e rasatit të koranit. Për herë të parë këtë vit do të hidhen mbi 1.5 milion rasate, numri më i madh i prodhuar ndonjëherë në Shqipëri. Në nisje të këtij procesi ishte në Pogradec edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, i shoqëruar nga zv.ministri Roland Kristo dhe kryebashkiaku Ilir Xhakolli.

“Me kontribut të qeverisë, për herë të parë në historinë e këtij liqeni, sivjet do të hedhim një milion e gjysmë rasat korani. Është një sasi gati dyfish nga sasitë e hedhura ndër vite, madje edhe shumë më shumë sesa sasia që hedh pala maqedonase. Ne aktualisht kemi një qendër moderne të rritjes së rasatit që kontribuon në mënyrë shumë të rëndësishme në kultivimin e koranit, si peshku unik që rritet vetëm në Liqenin e Ohrit”, tha ministri Çuçi teksa bashkë me peshkatarët hodhi në ujërat e liqenit rasatin e parë të koranit.

Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur këtë pasuri jo vetëm tonën, por të të gjithë botës pasi siç dihet ky liqen është futur këtë vit edhe në mbrojtjen e UNESCO-s.

Më tej ministri Çuçi foli për investimet që do të kryhen në këtë liqen, për të lehtësuar aktivitetin e peshkatarëve.

“Bashkë me kryetarin e bashkisë ramë dakord që së bashku të krijojmë qendrën e organizatës së peshkimit dhe të kontribuojmë për ndërtimin e disa moleve në funksion të peshkimit. Besoj se vitin tjetër do t’i kemi gati këto mole. Kjo do të krijojë një lehtësi shumë të madhe për peshkatarët”, tha ministri Çuçi.

Procesi i hedhjes së rasatit të koranit do të vijojë përgjatë gjithë muajit tetor. Ripopullimi me rasate të koranit, të kësaj specieje endemike  të liqenit të Ohrit, është një mbështetje e qeverisë shqiptare për peshkimin në Pogradec si dhe mbrojtjes së biodiversitetit. Prodhimi i rasatit bëhet në qendrën moderne të rritjes pranë fshatit Lin.

 {:}