Ministry of Agriculture and Rural Development

Ekonomi në konferencën shkencore: Fondet për tërmetin nga donatorët, sukses i qeverisë shqiptare

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi mori pjesë sot në Konferencën shkencore “Pandemia dhe rimëkëmbja-strategjitë e përballjes dhe pritshmëritë e zhvillimit”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Akademia e Skencave.

Ministrja Ekonomi ndau me panelin eksperiencën e saj si drejtuese e grupit të punës për planin e përllogaritjes së dëmeve të tërmetit dhe hartimin e programit të Rindërtimit (PDNA).

Ky proces kulmoi me konferencën e donatorëve, në 17 shkurt 2020 në Bruksel, ku Shqipëria pati një mbështetje jo vetëm nga BE dhe vendet anëtare të saj, por edhe nga shumë vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare.

Konferenca e drejtuar nga presidentja e Komisionit Evropian Znj. Ursula von der Leyen, e cila në prani të Kryeministrit Rama tha: “Megjithatë, së bashku ne mund ta ndihmojmë Shqipërinë të fillojë nga e para. Së bashku ne mund të ndërtojmë shkolla dhe spitale që plotësojnë standarte më të larta të sigurisë sizmike. Së bashku ne mund të përforcojmë aftësinë e mbrojtjes civile të Shqipërisë. Së bashku ne mund ta bëjmë vendin tuaj më të fortë sesa ishte para tërmetit.”

Shqipëria arriti të angazhonte në këtë proces 1 milardë e 150 milionë Euro.

Duke nisur me statistikat, Ministrja Ekonomi solli në evidencë se: “Si rezultat i katastrofës natyrore humbëm 51 jetë, ndërkohë në 11 bashkitë e vendit u prekën 202.291 njerëz, nga të cilët 47.263 u prekën drejtpërdrejtë dhe 155.029 u prekën indirekt.”

Duke vijuar me shifrat Ministrja Ekonomi vlerësoi se tërmeti ka shkaktuar efekte që janë ekuivalente me 6,4 % të Prodhimit të Brëndshëm Bruto (PBB) të vitit 2018 në dëme dhe me 1,1 % të PBB-së në humbje. Sektorët më të goditur të ekonomisë ishin turizmi, dhe pasuritë e paluajtshme, por dëmtime të konsiderueshme pati gjithashtu në arsim, shëndetësi, në infrastrukturën publike, në prodhim dhe në tregti. Kjo bëri që ekonomia shqiptare në vitin 2019 të rritej në masën 2,4 % nga 2,9 % që ishte parashikuar.

Gjithashtu në fjalën e saj Ministrja Ekonomi përmendi se efektet e një tërmeti në zhvillimin njerëzor dhe varfërinë në përgjithësi janë të vështira për t’u përcaktuar menjëherë pas goditjes.

Pas tërmetit, rreth 9.2% e familjeve në rrethet e prekura u zhvendosën nga banesat e tyre, dhe afër një e treta e tyre nuk ishin kthyer në fund të dhjetorit 2019. Shkalla e skajshme e privimit material u rrit mesatarisht me 8.4 pikë përqindje, ose 25.4%, krahasuar me vitin 2018, për të njëjtën periudhë. Nga ana tjetër, midis 2018 dhe 2019, nivelet subjektive të varfërisë në rrethet e prekura u rritën me 2.3 pikë përqindje, ose ekuivalente me 26,000 njerëz (18.9%). Për shkak të tërmetit, 42.9% e njerëzve në zonat e prekura raportuan lodhje emocionale, probleme me gjumin, depresion dhe ankth dy javë pas ngjarjes, me më pak heterogjenitet midis rretheve.

Po ashtu Ministrja Ekonomi u shpreh me vlerësim të lartë mbi solidaritetin si ne planin kombetar ku u pergjigjen thirrjes per ndihme 7600 persona, dhe komunitetit ndërkombëtar. Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile u mbështet nga 541 trupa të urgjencës nga 12 vende të BE dhe 304 trupa nga 8 vende jo të BE-së.

Ndërkohë akoma pa mbaruar faza humanitare, qeveria shqiptare kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore për të ndërmarrë një vlerësim të plotë gjithëpërfshirës të nevojave të katastrofës (PDNA) për të identifikuar dëmet, humbjet dhe nevojat e rimëkëmbjes që rrjedhin nga ngjarja.

Në përllogaritjet e grupit të punës, vlera totale e aseteve dhe infrastrukturës së shkatërruar apo të dëmtuar në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti u vlerësua 843,9 milion euro dhe vlera e humbjeve totale arriti në 141,2 milion euro ose një shumë prej 985,1 milionë euro dhe përfaqësonte 7,5 % të PBB-së të Shqipërisë në vitin 2019, duke treguar kështu madhësinë e efekteve të tërmetit dhe rëndësinë e tij për ekonominë e vendit, jetesën dhe treguesit e zhvillimit njerëzor.

Vizioni i rimëkëmbjes ishte shumë i qartë, ta kthenim këtë situatë dramatike në një mundësi të artë zhvillimi. Duke patur në konsideratë faktin se rimëkëmbja është më shumë një proces sesa rezultat, udhëhiqet nga një qasje strategjike që bazohet në tri shtylla kryesore: përshtatja strukturore, postkatastrofa dhe qëndrueshmëria sociale,qëndrueshmëria financiare.

Gjithashtu nëpërmjet parimit “ndërto më mirë” (BBB-Build Back Better) synohet të sigurojë një mjedis të qëndrueshëm dhe miqësor të godinave të rëna, duke ju përgjigjur sfidave të kohës si ngrohja globale, kursimi i energjisë, respektimi i ekonomisë së gjelbër etjer. Parimi i dytë “ mos lërë askënd pas “ synon të mos lërë pa vëmendje asnjë individ, dhe tu jape mundesi individeve te prekura te behen pronare te aseteve të reja që u ofrohen. Nevojat e përllogarituar për rimëkëmbje ishin 1 miliard e 76 milionë Euro, të ndara në nevoja afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjata.

Në këtë konferencë donatorët akorduan 1,15 miliardë euro për Shqipërinë. Rreth 295 milionë euro u zotuan në formën e granteve dhe 853 milionë euro si hua. Gjithashtu, 3 milionë euro u afruan në natyrë.

Pra , Qeveria Shqiptare arriti të angazhonte më shumë se nevoja e përllogaritur.

Zoti Rama ju drejtua pjesmarrësve në konferencë ”Ju nuk do të pendoheni asnjëherë që sot jeni miqtë më të mirë të Shqipërisë”.

Ky sukses i padiskutueshëm, u arrit mbi të gjitha në sajë të lobimit personal nga ana e Kryeministrit Rama, i cili shfrytëzoi cdo mundësi dhe kanal komunikimi për të arritur mbështetjen e nevojshme.{:}