Ministry of Agriculture and Rural Development

Për të dytin vit radhazi, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural nisi sot fushatën për mbrojtjen e gështenjës nga grerëza e zezë, në zonën e Reçit, Shkodër.

Mirëmbajtja dhe ruajtja e gështenjës u bë e mundur përmes një insekti të krijuar në kushte laboratorike në laboratorë të certifikuar europianë, i cili përjashton përdorimin e pesticideve ose formave të tjera që kanë efekte jo shumë të ndjeshme. Kjo është një nga mënyrat më efikase për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e gështenjës, që aplikon sot çdo vend i Bashkimit Evropian.Në nisjen e këtij procesi, ishte e pranishme dhe ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Milva Ekonomi.

Në takimin me specialistë të bimëve dhe familje që kultivojnë gështenjën, Ekonomi përshëndeti  punën e tyre ndër vite  për ruajtjen e trashëgimisë. Ajo tha se pas alarmit të specialistëve dhe komunikimit me Universitetin Bujqësor, Ministria u angazhua për gjetjen e një mbrojtësi biologjik, me qëllim që të ruhet cilësia e gështenjës.

“Mbrojtësi biologjik nuk është shumë i përhapur, ai është prodhuar në Amerikë dhe Japoni dhe shpërndahet në Evropë. Beteja për të siguruar mbrojtësin biologjik nuk është shumë e lehtë dhe Shqipëria u përgatit në kohë për këtë ndërhyrje. Ju punoni të gjithë bashkë, jeni bërë një komunitet që merreni me gështenjën dhe ju duhet për të siguruar të ardhurat e familjes, por nga ana tjetër është dhe trashëgimi natyrore. Unë jam angazhuar personalisht ta çoj këtë proces deri në fund, kam pasur dhe mbështetjen e ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit”, tha ministrja Ekonomi. Nisur nga studimet të cilat tregojnë se mbrojtësi biologjik duhet të qëndrojë në përhapje 5-7 vjet, Ekonomi u premtoi fermerëve   se ministria e Bujqësisë do të planifikojë një fond për blerjen e mbrojtësit biologjik dhe për vitet në vazhdim.

Ndërsa ekspertja Arjona Pecaj, tha se në zonën e Reçit ka kultura të gështenjës 300-vjeçare të trashëguara brez pas brezi nga familjet që merren me kultivimin e gështenjës. Ajo e vlerësoi rolin e ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë në këtë proces që kërkon jo vetëm mbështetje financiare, por dhe burime të shtuara njerëzore sic janë specialistët e fushës të cilët do të merren direkt me hedhjen në plantacionet e gështenjës, të insektit që lufton grerëzën. Sipas studimeve shkencore, grerëza e gështenjës konsiderohet si një ndër insektet më dëmprurës në plantacionet e gështenjave.

Ndërsa dhënat e EPPO (Organizata Europiane për Mbrojtjen e Bimëve), tregojnë se grerëza e gështenjës prek gati të gjitha speciet e gështenjës që nga Kina, Japonia, Amerika dhe Europa. Kjo grerëz konsiderohet dëmtuesi numër një në plantacionet e gështenjave. Mbrojtja e gështenjës nga grerëza galëformuese është direktivë e Komitetit Evropian që detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse kundër grerëzës së gështenjës.

Gështenjat e vendit tonë dhe mjalti që prodhohet prej tyre njihen për vlerat e rralla kurative dhe kërkesat e larta për treg brenda e jashtë vendit kanë shtuar të ardhurat e familjeve në zonat më veriore të vendit. Eksportet e gështenjave “Made in Albania” rriten çdo vit duke gjeneruar miliona euro të ardhura në ekonominë e vendit. Pjesa më e madhe e prodhimit eksportohet në Itali, ku dhe përpunohet.{:}