Ministry of Agriculture and Rural Development

Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpërndanë sot çertifikatat për 11 inspektorë të peshkimit nga 4 portet e vendit, që u trajnuan si Vëzhgues Kombëtarë në anijet e peshkimit të peshkut ton.

Në aktivitet merrnin pjesë ministrja Milva Ekonomi dhe z.Massimo Gacci, Drejtues i Projektit Fishing Blu “Mbështetje për Sektorin e Peshkimit në Shqipëri”. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi tha në fjalën e saj se sektori i peshkimit është ndër sektorët me kontribut të madh në ekonominë e vendit duke shënuar vitin e shkuar një eksport prej 105 milionë euro. Sipas Ministres Ekonomi, angazhimi i qeverisë është trefishimi i eksportit të prodhimeve bujqësore duke e cuar nga 450 milion dollarë që është sot në 1.2 miliard dollarë ku sektori i peshkimit do të ketë rëndësi të veçantë.
Ekonomi tha se projekti ” Fishing Blue” ka shërbyer dhe për të bërë një analizë të zonave të akuakulturës dhe është vendosur që së bashku me ministritë e Mjedisit & Turizmit dhe Ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të krijohet një zonë për Akuakulturën, për të rritur peshkun ton.

 

Ministrja Ekonomi vuri në dukje rolin e rëndësishëm që do të kenë inspektorët e peshkimit, me zhvillimin që do të marrë sektori në të ardhmen. Sipas saj, ata do të duhet të mbrojnë të gjitha mundësitë e peshkimit në territorin e vendit tonë, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Ekonomi tha se përveç detyrës si vëzhgues kombëtar në anijet e peshkut ton, 11 inspektorët e peshkimit të trajnuar, do të jenë pjesë edhe e kontrolleve të monitorimit që do ti bëhen Shqipërisë në kuadër të konventës së mbrojtjes së peshkut, pra bashkëshoqërues të kontrollorëve ndërkombëtarë.

 

Drejtues i Projektit Fishing Blu “Mbështetje për Sektorin e Peshkimit në Shqipëri”, z.Massimo Gacci, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me ministrinë e Bujqësisë, për ecurinë me sukses të projektit. Lidhur me trajnimin e kryer me inspektorët e peshkimit, z.Gacci tha se me rinisjen e aktiviteteve e programeve të projektit pas një viti, si pasojë e pandemisë COVID 19, trajnimet për vêzhguesit kombëtar në anijet e peshkimit ton do të jenë të vazhdueshme.

 

Koordinatori lokal i projektit Arjan Palluqi theksoi se në shtator nis trajnimi për rregullloren e peshkimit dhe ligjin e peshkimit dhe për 2 nga rekomandimet e Bashkimit Evropian e ku në fund pjesëmarrësit do të çertifikohen për njohuritë e marra. Trajnimi i inspektorëve të peshkimit u zhvillua në periudhën 10-13 maj. Trajnimi kishte për qëllim njohjen e pjesëmarrësve me detyrat e Vëzhguesit Kombëtar në një anije të peshkimit të peshkut ton, aktivitetet e përditshme gjatë fushatës së peshkimit të peshkut ton si dhe njohja e përdorimi i dokumentacionit teknik në këtë formë peshkimi.
Gjithashtu një seksion i veçantë trajnimi ishte vlerësimi i videove filmike nën ujë që përdoren për transferimin e peshkut ton nga rrjetat e zënies në koshat e kultivimit.{:}