Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja Krifca: Mbështesim prodhimin shqiptar, qëllimi ynë fuqizimi i eksporteve bujqësore

Në Berlin është zhvilluar panairi më i madh i marketimit të produkteve bujqësore në Europë ku marrin pjesë 135 shtete, ku edhe Shqipëria është përfaqësuar me 11 nga kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe përpunimit bujqësor. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka vizituar pavionin e Shqipërisë ku ishin të ekspozuara disa nga produktet kryesore të prodhimit të vendit tonë.

“Janë 11 kompani shqiptare të cilat në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe mbështetjen e GIZ janë përfaqësuar denjësisht sot në këtë panair, më të madhin në Europë për marketimin e produkteve bujqësore. Shqipëria tashmë synon të eksportojë në tregjet më të sofistikuara të Europës. Ne i kemi vënë vetes një qëllim, që eksportet bujqësore të arrijnë shifrën 1 miliard dollarë. Jemi në gjysmë të kësaj rruge, por falë punës së prodhuesve tanë të dedikuar i kemi të gjitha premisat për ta arritur qëllimin tonë”, u shpreh ministrja Krifca,

Ministrja e Bujqësisë ka marrë gjithashtu pjesë edhe në ministerialin e organizuar nga Ministri Gjerman i Bujqësisë dhe Ushqimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Takimi kishte për qëllim një dialog të hapur për politikat rurale, ku u diskutua për tregtinë e lirë dhe hapjen e tregjeve ushqimore në situatën aktuale. Ministrja Krifca shprehu kënaqësinë për  mbështetjen e Gjermanisë drejt rrugës së një bujqësie të integruar në Bashkimin Europian.{:}