Ministry of Agriculture and Rural Development

 

Sot në ambjentet e Bankës së Shqipërisë është nënshkruar marrëveshja për shtesën me 20 milionë euro për financimin e agrobiznesit dhe turizmit në kuadër të fondit të garancisë të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Qeverisë Shqiptare. Kjo shumë është akorduar për bankën ProCredit, si anëtare pjesëmarrëse në këtë fond, për të rritur kreditimin në sektorin e bujqësisë, agropërpunimit dhe turizmit.

 

Në takim ishte e pranishme edhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cila tha se kjo është “mundësi e artë që kanë fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi për të përfituar nga fondi i garancisë i vënë në dispozicion nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Qeveria Shqiptare.

Për ne në Ministrinë e Bujqësisë, teksa flasim në takimet pothuajse të përditshme me fermerët, agropërpunuesit dhe eksportuesit, shohim se kapacitetet e prodhimit dhe përpunimit kanë të gjithë hapësirën për t’’u rritur nëpërmjet financimit dhe kreditimit me qëllim rritjen e prodhimit, të punësimit si dhe vlerës së shtuar në ekonomi”.

 

Ministrja e Bujqësisë theksoi se Bujqësia është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social të zonave rurale si dhe mirëqenies së të gjithë banorëve të Republikës së Shqipërisë. Fondi i Garancisë mes BERZH dhe Qeverisë Shqiptare e ka kuptuar këtë, uroj që dhe bankat tregtare ta konsiderojnë prioritet absolut ashtu si po tregojnë dhe kohët që po jetojmë.{:}