Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e cilësoi Dibrën ekselencë më vete në bujqësi dhe agroturizëm, ndërkohë që bëri të ditur se orientimi është drejt krijimit të një industrie të lehtë përpunuese që do u shtojë vlerën.

E pranishme në turin e takimeve që zhvilloi sot Kryeministri Edi Rama në Peshkopi, me fermerë dhe banorë të zonë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca informoi se në Dibër prodhohen rreth 17 mijë tonë perime të fushës dhe kultivohen 1 milion drunj frutorë, që plotësojnë një pjesë të madhe të nevojave të tregut tonë dhe janë mjaft të kërkuara për cilësinë, shijen e veçantë, ndërkohë që sjellin të ardhura pasi shiten me çmime mjaft  të mira.

“Ajo industria e lehtë përpunuese e produkteve të ekselencës dibrane duhet të ndodhë këtu dhe bashkia ka një rol të madh. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, kjo mbështetje është vënë në funksion përmes shumë programeve. Këtë vit është buxheti më i madh i vënë në dispozicion të bujqësisë dhe në vlerë edhe në numër përfituesish është dyfishuar numri i fermerëve në Dibër”, u shpreh Krifca.

“Vij me shumë emocion dhe kënaqësi në Dibër se është edhe vendi i të parëve të mi. Shumë prej jush i kam takuar edhe më parë dhe sot folëm edhe më në detaje për disa problematika me të cilat ndeshet ky  sektor, pasi dhe ne nuk kemi frikë nga problemet, ne përballemi dhe përpiqemi të gjejmë zgjidhje kur ato ndodhin”, tha Krifca.

Ministrja solli në vëmendje mollët që janë vërtetë traditë e kësaj zone,  por për të cilat, siç tha ajo, “kemi nevojë të përmirësojmë praktikat e kultivimit”.

“Kemi shumë shembuj në Shqipëri, të atyre pemëtore që janë fantastike dhe janë mbështetur me njohuri edhe nga prodhuesit më të mirë botërorë, nëpërmjet projekteve të shumta të vëna në dispozicion nga qeveria, por ne në fakt na duhet të ecim më tej në këtë drejtim”, theksoi Krifca.

Sipas saj,  atë që ka bërë QTB-ja e Shkodrës, për drithërat, ku nëpërmjet eksperiencës së vet dhe transferimit të teknologjive ka ndihmuar fermerët të përmirësojnë rendimentet e misrit dhe të grurit, duhet bërë edhe për drufrutorët.

“Me mbështetjen që kemi dhënë kemi mundur të ndihmojmë në shtimin e parcelave të reja me pemëtore. Në Dibër janë 2 milionë euro të vëna në dispozicion nga IPARD për rreth 13 investime, nga të cilat 7 janë në agroturizëm. Ju e keni shfrytëzuar këtë mbështetje duke ndjekur shembullin sesi funksionojnë këto modele siç është rasti i dikujt këtu që ka përfituar mbështetje për një stallë por tani po e zgjeron investimin në agroturizëm”, u shpreh ministrja, teksa tha se “në blegtori shohim interes të fermerëve për të shtuar tufat blegtorale por edhe për pika përpunimi”.

Krifca deklaroi se, “nëpërmjet mbështetjes kemi krijuar një orientim, për të lidhur gjithë zinxhirin e vlerës nga prodhimi në përpunim dhe në treg”.

Ministrja solli në vëmendje ecurinë pozitive në drejtim të investimeve për ndërtimin e tregjeve bujqësore. “Ne e nisëm në fillim me ndërtimin e tregut bujqësor në Bulqizë dhe do të ngremë në Dibër një treg, pikë grumbullimi, që t’i shtojmë vlerë produkteve bujqësore duke i shitur ato edhe të përpunuara”, theksoi ajo.

Ministrja theksoi se sot ka mbështetje shumë më tepër se më parë, teksa vuri në dukje se ndikim kanë  dhënë investimete në infrastrukturë që i kanë sjellë prodhimet më shpejt në treg, në ujitje dhe vepra të tjera infrastrukturore

{:}