Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj me ftesë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Ljupcho Nikolovski, mori pjesë në konferencën ministeriale, që u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut.

“Në prani të Fatmir Bytyqit, Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe homologut të Republikës së Kosovës, Faton Peci, të Malit të Zi, Vladimir Joković dhe Miroslav Marinov, Zëvendësministër i Bujqësisë i Bullgarisë si dhe Nabil Gangi, drejtues i zyrës rajonale të FAO-s për Evropën dhe Azinë, në prezencë të organizatave ndërkombëtare dhe botës akademike, diskutuam për masat e marra dhe projeksionet në lidhje me Agjendën e Gjelbër, në kuadër dhe të detyrave nga ndryshimet klimatike”, u shpreh Denaj.

“Dua të falenderoj ministrinë e Bujqësisë të Maqedonisë së Veriut, për këtë inciativë, në këtë konfernecë dhe të gjithë kolegët, pasi vetëm së bashku si rajon, mund të mbështesim, jo vetëm me politika por edhe me instrumenta të tjerë, njëri-tjetrin  dhe kjo konferencë i shërben më së miri këtij misioni”, tha ministrja gjatë fjalës së saj.

Denaj theksoi se, Shqipëria për vetë gjeografinë dhe potencialet e burimeve ujore, mundëson një sistem shumë të mirë të ujitjes, por që mund të na kthehet në një kërcënim në rastet kur ndryshimet klimatike, japin një ndikim më të lartë.

Ministrja shprehu falenderim për bashkëpunimin me Bankën Botërore, që nëpërmjet një komponenti të veçantë me vlerë 29 milionë euro, do të ndërtojë në vendin tonë, platformën digjitale për Bujqësinë inteligjente, për klimën, e cila synon drejtimin e fermerëve në praktika më të qëndrueshme bujqësore

Gjithashtu, Denaj theksoi, do të ndërhyjmë me projekte investimi në gati 12 mijë e 300 hektarë në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, për t’i paraprirë situatave me reshje të shtuara shiu në zonat bujqësore të vendit tonë.

“Një pikë tjetër e rëndësishme, në aspektin e politikave që qeveria shqiptare ka marrë është sesi të gjitha këto burime ne t’i kthejmë në energji. Shqipëria prodhon një energji të pastër nga uji dhe 90% e energjisë prodhohet nga burimet ujore, por së fundi jemi duke përdorur një diversifikim të prodhimit të energjisë nga ajo që vjen nga fotovoltaikët, duke e kombinuar këtë dhe me atë që quhet agrofotovoltaik, si instrument për ato toka ku bujqësia, për t’u përdorur për objektivin e tij primar siç është bujqësia nuk është e mundur. Në këtë aspekt kemi një projeksion dhe ambicie për të zhvilluar energjinë dhe nga ky sistem i diversifikuar në disa zona të Shqipërisë, për të realizuar dhe aty një mundësi më të mirë të sistemit me panele diellore me fuqi që shkojnë nga 1000 KWp, që ndihmojnë gjenerimin e përmirësimit të sistemeve të brendshme të energjisë, dhe kontribuojnë në bujqësi. 

{:}