Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një vizitë tek biznesi i Gjergji Çibuku në Korçë, i cili tregton 120 lloje bimësh aromatike – mjekësore në fabrikën e tij, dhe ka punësuar mbi 1000 familje për vjeljen e tyre.
Denaj theksoi se, kompania eksporton rreth 1500-2000 tonë bimë me vlerën 3 milionë euro në vit, kryesisht drejt Gjermanisë.
Gjithashtu, shtoi ministrja, kompania ka në plan zgjerimin me dy pika të reja grumbullimi për të garantuar cilësi, rritje të eksporteve dhe më shumë vende pune për grumbulluesit e fermerët.
Bimët mjekësore dhe aromatike janë një nga zërat e rëndësishëm të eksporteve shqiptare.
Industria e bimëve mjekësore aromatike (BMA) mundëson sot punësimin e mbi 100 mijë familjeve rurale në zonat e thella të vendit, të cilat sigurojnë të ardhurat kryesore nga aktiviteti i vjeljes dhe grumbullimit të BMA-ve.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e ka vënë në prioritet mbështetjen e këtij sektori, ku krahas masave subvencionuese nga Skema Kombëtare, ka mundësuar mbështetje të sipërmarrësve të sektorit edhe nga programi IPARD II, për investime në shtimin e mbjelljeve të reja apo masa për përpunimin e BMA-ve, që i kanë dhënë një hov kësaj industrie.
Sipërmarrësit në fushën e BMA-së shprehen se, “mbështetja për industrinë e bimëve mjeksore, nuk është vetëm ndihmë që i jepet biznesit, por edhe një mision kombëtar, pasi nxit punësimin e të rinjve në zonat rurale, ku e vetmja mundësi të ardhurash janë BMA-të”.
Ata theksojnë se, potenciali i BMA-ve është më i lartë nëse investojmë në teknologji të reja dhe përmirësojmë cilësinë e produktit.
Ky sektor është kontribuesi kryesor në ekonominë shqiptare veçanërisht në eksportet që realizon në shumë shtete të ndryshme.
Shqipëria është një vend i pasur me këto bimë dhe ka resurse të rralla, e pozicionojnë vendin tonë si një aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare për një sektor të veçantë biznesi që bart.

{:}