Ministry of Agriculture and Rural Development

Banka Botërore po konsolidon bashkëpunimin në fushën e bujqësisë në Shqipëri.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti sot në një takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas dhe përfaqësues të tjerë të Bankës Botërore në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, bëri të ditur ministrja Denaj, u prezantua marrëveshja e përbashkët për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
Ky projekt i rëndësishëm, me një financim prej 65 milionë euro nga Banka Botërore, ka në fokus promovimin e bujqësisë inteligjente për të përballuar sfidat klimatike, si dhe rritjen e aksesit në tregje për fermerët.

“Marrëveshja me Bankën Botërore për zhvillimin e bujqësisë shqiptare prej 65 milionë eurosh ka në fokus promovimin e bujqësisë inteligjente për të përballuar sfidat klimatike, si dhe rritjen e aksesit në tregje për fermerët, fuqizimin e sigurisë ushqimore, si dhe forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të analizuar ndikimet e politikave bujqësore”, deklaroi ministrja Denaj.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Banka Botërore ka parashtruar tashmë dizenjimin e projekteve në mbështetje të fermerëve, zgjerimin e punësimit në sektorin rural dhe zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.

Banka Botërore, është një nga donatorët kryesorë në bashkëfinancimin me qeverinë shqiptare të projekteve për ujitjen dhe kullimin në sektorin e bujqësisë,si një nga fushat kryesore që mbështet zhvillimin e sektorit.

Bujqësia është një ndër sektorët e rëndësishëm në ekonominë e vendit, ajo bujqësia kontribuon ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe punëson rreth 40 % të forcës së përgjithshme të punës.
BB vlerëson në raportin e saj, “në Shqipëri, si në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, është zhvilluar me entuziazëm sektor i ujitjes private ose i udhëhequr nga fermerët. Ujitja private përqendrohet te prodhimet bujqësore me vlerë të lartë si për tregun vendas, ashtu edhe atë të huaj. Nëse mbështetet mjaftueshëm, ky sektor mund të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në planin e qeverisë për dyfishimin e eksporteve bujqësore”.


{:}