Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

[metaslider id=15839]

 

Ministri Çuçi në Lushnje tek qendra e përmirësimit gjenetik të grurit dhe misrit: Mbështesim aktivitetin shkencor në bujqësi. Fara e vendit krijon avantazhe për fermerët

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi, ishte në Lushnje ku vizitoi një qendër të përmirësimit gjenetik dhe prodhimit të farës. ‘AgroArfa’ është e vetmja qendër private në Shqipëri, e cila krijon varietete hibride të grurit dhe misrit bazuar në kritere shkencore dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Kjo sipërmarrje unike në llojin e vet ushtron veprimtarinë e saj prej 8 vitesh në vendin tonë. Fara e grurit dhe e misrit e krijuar nëpërmjet kryqëzimit me metoda konvencionale u shitet më pas fermerëve të interesuar për ta kultivuar.

 

“Përmirësimi gjenetik i bimëve është një nga aktivitetet më të rëndësishme shkencore në bujqësi, pasi në këtë mënyrë krijohen varietete hibride gjithnjë e më prodhuese, me cilësi më të lartë dhe rezistente ndaj sëmundjeve apo dëmtuesve”, tha ministri Çuçi.

 

Sipas tij varietetet dhe hibridet e sintetizuara në vend kanë një përshtatshmëri më të lartë se ata të sjellë nga jashtë. Kjo do të bëjë që fermerët të marrin më shumë prodhim. Njëkohësisht ata reduktojnë kostot, pasi farën e vendit e blejnë më lirë, mënjanohen shpenzimet e transportit nga jashtë, taksat doganore etj.

 

Veç fshatit Toshkëz në Lushnje, ‘AgroArfa’ ushtron aktivitet edhe në Istog të Kosovës. Po kështu ka bashkëpunim me disa qendra të prodhimit të farave në Itali. Ajo koordinon punën dhe ka mbështetjen e Entit Shtetëror të Farërave. Gjithashtu bashkëpunon me Universitetin Bujqësor të Tiranës, për studentët që ndjekin praktikat mësimore dhe shohin nga afër teknikat e prodhimit të farës. 

{:}