Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

[metaslider id=16176]

 

Ministri Çuçi në stanet e Shëngjergjit: Vitin tjetër shtojmë mbështetjen për blegtorinë, subvencion për zgjerimin e tufave

 

Për të mbështetur blegtorinë do të ketë një paketë të veçantë vitin e ardhshëm. Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z.Bledi Çuçi gjatë një vizite në disa stane të fshatit Linoz në Njësinë Administrative Shëngjergj, Tiranë. Çuçi shoqërohej në këtë takim nga zv.ministri Dhimo Kote.

 

“Nëse me qumështin mund të vazhdojmë subvencionimin për t’iu ardhur juve në ndihmë për mbijetesë në këtë rast, për pjesën e mishit është një mundësi shumë e mirë që krijon vlerë. Blegtoria duhet të jetë një sektor po aq i zhvilluar sa bujqësia. Kemi një moment të mirë në bujqësi falë edhe strategjisë e vizionit që kishim ne duke forcuar pikat e grumbullimit, duke subvencionuar serrat. Këtë gjë do të bëjmë edhe me blegtorinë, por duke u fokusuar më shumë tek zgjerimi i tufave. Ne do të mbështesim rritjen e tufës për mbarështim për mish”, tha ministri Çuçi.

 

Sipas tij Shqipëria e ka të vështirë të krijojë avantazhe konkurruese me qumështin në rajon, prandaj duhet të fokusohemi më shumë tek zgjerimi i tufave për mish.

 

Ministri shoqërohej në ktë vizitë nga zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote dhe përfaqësues të GEFF Albania (Green Economy Financing Facilities)  dhe NGO ‘Mileniukonntakt’, të cilët kanë implementuar në Shëngjergj një projekt që synon përmirësimin e jetesës në stan.

 

Për herë të parë disa stane të kësaj zone malore janë ‘elektrifikuar’ me panele fotovoltaik dhe kanë ndriçim për të përmbushur nevojat e tyre. Po kështu janë pajisur me tualete me dushe që ngrohen me dru, sobë gatimi, si dhe bidona cilësorë për transportin e qumështit në baxhon që ndodhet aty pranë.

 

Gjatë bashkëbisedimit me blegtorët dhe përfaqësuesit e organizatës që ka zbatuar këtë projekt, ministri Çuçi tha se është me rëndësi që ky model të përhapet edhe në stane të tjera të vendit dhe se Ministria e Bujqësisë është e gatshme të kontribuojë në këtë pikë.

 

Kullotat alipine në Malin me Gropa, në lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit janë një nga zonat më të bukura malore të Tiranës dhe kanë përspektivë të veçantë për zhvillimin e blegtorisë dhe turizmit malor.{:}