Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

[metaslider id=”16774″]

Javën e ardhshme do të nënshkruhet me qeverinë kineze protokolli që i hap rrugë eksportit të mjaltit nga Shqipëria. Kështu tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi teksa ndodhej në Zadrimë të Lezhës tek një bletërritës, i cili prej shumë vitesh prodhon mjaltë në markën “Zadrima”.

“Bletaria është një nga sektorët më të rëndësishëm. Përsa i përket subvencionit, e reja e këtij viti është se kriterin që kishim vënë vjet për 100 koshere e ulëm në 50, por kemi hapësirë për ta ulur sërish. Përveç subvencionit që po japim për bletëritësit, ne jemi duke kërkuar tregje të reja për mjaltin. Javën e ardhshme unë do të nënshkruaj me qeverinë kineze protokollin për mjaltin që i hap rrugë eksportit të këtij produkti drejt një tregu të madh. Ky është një treg i jashtëzakonshmë, që do t’i japë një tjetër frymëmarrje bletarisë. Kjo do të ndikojë në shtimin e koshereve dhe rritjen e sasisë së prodhimit të mjaltit”, tha ministri Çuçi.

Në Skemën Kombëtare të këtij viti bletërritësit mund të aplikonin për të marrë subvencion duke pasur së paku 50 koshere nga 100 që ishte vitin e kaluar. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të shikojë mundësinë që këtë numër ta ulë në rreth 30, për t’i dhënë një tjetër nxitje këtij aktiviteti. Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të natyrës  dhe klimës që ka vendi ynë.{:}