Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi sot një takim zyrtar me ambasadorin e Austrisë në Tiranë Christian Steiner. Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi dypalësh që daton që prej vitit 2010, ku dy vendet firmosën memorandumin e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm rural, industrisë përpunuese në sektorin ushqimor, sigurinë ushqimore, sektorin e shëndetit të kafshëve. Ministrja Ekonomi është ndalur dhe tek projektet e reja që synohet të zbatohen me palën austriake në fushën e bujqësisë duke konsideruar të rëndësishme për palën shqiptare, shkëmbim eksperience dhe trajnime për forcimin e kapaciteteve të stafit teknik të përfshirë në negociatat me BE-në për sektorin e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, vreshtarisë dhe verës në kuadër të politikës së përbashkët bujqësore; shkëmbim eksperience në fushën e zhvillimit të blegtorisë në zonat malore; pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme promovuese si B2B apo panaire në vendet respective për nxitjen e shkëmbimeve tregtare për produkte bujqësore e ushqimore me interes të ndërsjellë dhe marrje eksperience në organizimin dhe funksionimin e pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore me synim nxitjen e shkëmbimeve tregtare të prodhimeve të perimeve të hershme shqiptare në tregun austriak. Në fund të takimit me ambasadorin Steiner u ra dakort për të vijuar komunikimin dhe avancuar më tej bashkëpunimin e nisur.{:}