Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi u takua sot me ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i cili ka nisur detyrën në krye të shërbimit diplomatik ukrainas në Tiranë prej tetorit të vitit 2020.

Ministrja e MBZHR Milva Ekonomi u shpreh e gatshme për nënshkrimin e një  Memorandimi Mirëkuptimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik, Tregtisë dhe Bujqësisë të Qeverisë së Ukrainës .

Nëpërmjet këtij Memorandumi Mirëkuptimi i cili ndodhet në proces shqyrtimi, palët nënshkruese do të zhvillojnë bashkëpunimin midis tyre me përfitime të ndërsjella në fushën e bujqësisë, duke forcuar marrëdhëniet ekzistuese midis dy shteteve.

Ky Memorandum Mirëkuptimi do të ketë për qëllim nxitjen e zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, veterinarisë, blegtorisë, mbrojtjes së bimëve dhe industrisë ushqimore.

Bashkëpunimi ndërmjet palëve do të bëhet nëpërmjet shkëmbimit të informacionit me interes të përbashkët, zbatimit të mundshëm të programeve dhe projekteve të përbashkëta, organizimin e trajnimeve për specialistët e vendeve respektive, si dhe zbatimin e masave të tjera që do të dakordësohen midis tyre.

Përfaqësuesit e ambasadës ukrainase në Tiranë shprehën interesin për mundësitë e eksportit të prodhimeve bujqësore shqiptare në tregun ukrainas.

Drejt Ukrainës shkojnë rreth 1.52% e sasisë ose 0.62% e vlerës totale të eksporteve shqiptare të sektorit të bujqësisë. Produktet më të eksportuara në sasi janë: Ujërat minerale me sheqer; lakër, lulelakër, rrepa të bardha; kastravecat; bimët medicinale; agrume etj. Produktet më të importuara në sasi janë: Grurë dhe meslin; vaj luledielli; plehruesit minerale, azotike; bërsi të kokrrave të sojës; arra të tjera etj.{:}