Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ka përfunduar me rekord aplikimesh më 30 mars procesi për përfitimin e kartës së naftës pa taksa në portalin e-albania. Nga data 15 janar kur nisën aplikimet online, procesi u zhvillua intensivisht duke tërhequr interesin e mijëra fermerëve në të gjithë vendin.
Deri në fund të ditës së djeshme, 30 mars, 20561 fermerë aplikuan online në portalin e-albania.
Aplikimet u kryen nga fermerë të të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korcës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës.
Fermerët janë asistuar gjatë gjithë procesit të aplikimit nga specialistët e bujqësisë pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor dhe Agropikave, por edhe nga njësitë e qeverisjes vendore.
Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka kryer verifikimin e përputhshmërisë së dokumentave të deklaruara nga fermeri me ato që ka depozituar.
Pas këtij procesi verifikimi të përputhshmërisë, fermerët që kanë kaluar me sukses këtë fazë, i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose Agropikave për tu pajisur me kartën e naftës falas të cilën e tërheq në një pikë karburanti
Deri dje, 30 mars, janë kualifikuar/miratuar rreth 2 000 përfitues, për të cilët vazhdon pajisja me kartën e naftës, sipas sasive respektive.
Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT.{:}