Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural në bashkëpunim me ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri organizuan seminarin online të biznesit për tregtinë bujqësore mes Shqipërisë dhe Kinës.

Në seminar merrnin pjesë ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, z. Zhou Ding dhe përfaqësues të biznesit nga të dyja vendet.

Ky takim është i pari, pas firmosjes së dy marrëveshjeve të Karantinës për heqjen e barrës doganore për produktet e bulmetit dhe mjaltit mes dy qeverive gjatë muajit shkurt.

Përfaqësuesit e MBZHR theksuan se prioritet i MBZHR është eliminimi i tarifave doganore për produktet bujqësore që eksportohen në Kinë.

Ata i kërkuan ambasadorit të Kinës në takim, përshpejtimin e procedurës enegociimit dhe nënshkrimit të tre Protokolleve të tjera, të cilat tashmë janë në proces, sic është protokolli për produktet ujore (peshkim dhe akuakulturën), nën-produktet e pulave, si edhe për të brendshmet e kafshëve.

Seminari shërbeu dhe për promovimin e produkteve blegtorale e mjaltit që përfshihen në dy marrëveshjet e Karantinës.

Përfaqësues të biznesit diskutuan për mundësitë e zhvillimit më tej të bashkëpunimit të tregtimit të produkteve bujqësore nga Shqipëria drejt Kinës.{:}