Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Milva Ekonomi e shoqëruar nga ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca dhe kryenegociatori i Shqipërisë Zef Mazi lancoi sot thirrjen e dytë të skemës së granteve për modernizimin e anijeve të peshkimit, me fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit IPA – 2016 “Mbështetje për sektorin e peshkimit”.
Gjatë një aktiviteti të organizuar në portin e peshkimit në Durrës, ku merrnin pjesë dhe drejtues të flotave të peshkimit, ministrja Ekonomi tha se kjo thirrje përkon dhe me me Javët e Europës (9 – 29 Maj) në Shqipëri.
Duke falenderuar mbështetjen e BE e cila është në krah të qeverisë shqiptare për zhvillimin e sektorit të peshkimit, Ekonomi përmendi disa nga masat e rëndësishme që u morën nga qeveria që sollën për pasojë dhe rritjen eksporteve të prodhimit të peshkut nga 30.4 në 104.3 milionë euro.
“Masa e parë ishte ajo e karburantit dhe juve ju kujtohet që blinit karburant dikur nëpër pikat evropiane dhe jo në vendin tuaj. Por sot ka ndryshuar gjithçka. Ju blini karburantin dhe për atë merrni falas akcizën, taksën e qarkullimit dhe mjedisit. Paguani vetëm TVSH duke u bërë sektori i parë i formalizuar sepse e merrni këtë përkarshi peshkut që zini dhe tregtoni.
E dyta dhe shumë e rëndësishme për të parë atë që ka bërë qeveria është që ne hoqëm tvsh për 27 zëra të produkteve apo inputeve që ju duhen në sektorin e peshkimit duke mundësuar që të keni një rritje edhe më të madhe dhe të përmirësoni flotën.
E treta që ishte e rëndësishme ishte ngritja e merkatove. Është finalizuar merkato e peshkut në Shëngjin, po punohet për Vlorën ndërsa këtu në Durrës kemi një inisiativë rindërtimi bashkë me shoqatën e peshkatarëve”, tha ministrja Ekonomi.
Ajo garantoi flotat e peshkimit se siç është diskutuar dhe me kryeministrin, ne në skemën e buxhetit afatmesëm, po planifikohet një skemë mbështetëse pë sektorin e peshkimit për të gjithë anijet e peshkimit që duan të transformohen dhe të bëhen më të afta për të peshkuar në ujërat kombëtare e ndërkombëtare.
Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca teksa vlerësoi cilësinë e produkteve të peshkut në Shqipëri dhe përmirësimin e ndjeshëm të kuzhinës në restorantet e peshkut u ndal tek sfidat që ka Shqipëria në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është vend kandidat dhe së shpejti ne shpresojmë që do të jetë dhe vend negociues dhe si e tillë ajo do të mbështetet shumë në politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian për peshkimin dhe do të duhet që ta përdorë atë si pikë referimi në aktivitetet e saj. Që do të thotë pra se ky sektor do të duhet të vazhdojë punën e vet por dhe qeveria ta ndihmojë atë në mënyrë të qëndrueshme duke mos lënë mënjanë asnjëherë aspektin e shëndetit për të gjithë konsumatorët”, u shpreh ambasadori Soreca.
Ndërsa kryenegociatori Zef Mazi tha në fjalën e tij se në kuadër të negociatave për integrimin në Bashkimin Evropian, po bëhen përgatitjet e duhura për përfundimin e pozicionit kombëtar në këtë fushë.
“Korpusi legjislativ i unionit evropian për peshkimin përbëhet nga rregullore që nuk kërkojnë transfuzim me legjislacionin kombëtar, kërkohet vendosja e masave për të përgatitur administratën dhe operatorët për pjesëmarrje në politikën e përbashkët të peshkimit që mbulon politikën e tregut, menaxhimin e burimeve dhe flotave, inspektimin dhe kontrollin, veprimet strukturore dhe kontrollin e ndihmës shtetërore. Duhet të ratifikohen disa marrëveshje ekzistuese të peshkimit me vendet e treta ose ogranizatat ndërkombëtare”, tha Mazi.
Ai vlerësoi ndryshimet ligjore të bëra në këtë sektor sic është ligji për peshkimin që pati si qëllim vendosjen e një kufiri në numrin e licencave profesionale të peshkimit dhe sistemin Blue box, pajisja bashkëkohore që tashmë është instaluar në pjesën dërrmuese të anijeve të peshkimit dhe është bërë operativ.

[metaslider id=19482]{:}