Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ishte e ftuar nderi në panelin e nivelit të lartë të Komitetit të Sigurisë Ushqimore Globale (CFS), i cili ka vlerësuar progresin mbi barazinë gjinore për pronësinë e tokës në Shqipëri (SDG 5), sipas udhëzimit të FAO për Europën Juglindore. Komiteti shfaqi interes shumë të madh mbi ndryshimin që ka ndodhur në vend me barazinë gjinore.
Krifca u ftua në emër të Kryetarit të CFS Gabriel Ferrero, për të qenë pjesë e Panelit Ministror të Nivelit të Lartë në Forumin Global 2022 për Ushqimin dhe Bujqësinë (GFFA). GFFA është një konferencë ndërkombëtare mbi çështjet qendrore me rëndësi jetike për politikat globale bujqësore dhe ushqimore. Mbahet çdo vit në Berlin, organizuar nga Ministria Federale e Ushqimit dhe Bujqësisë e Gjermanisë. Më poshtë gjeni fjalën e ministres Krifca:
***
I nderuar kryetar!
Të nderuar folës!
Të dashur pjesëmarrës!
Jam e kënaqur dhe shumë e nderuar që jam ftuar në Forumin Global për Ushqimin dhe Bujqësinë 2022 për të prezantuar progresin e Shqipërisë në SDG 5.a bazuar në udhëzimet e FAO-s për forcimin e barazisë gjinore në regjistrimin e tokës në Evropën Juglindore. Treguesi 5.a.2 fokusohet në masën në të cilën kuadri ligjor siguron të drejtat e barabarta të grave për pronësinë e tokës. Qeveria Shqiptare ka pohuar angazhimin e saj për të njohur, respektuar dhe mbrojtur të drejtat e zotëruesve të ligjshëm. Barazia gjinore në aksesin, pronësinë dhe kontrollin e tokës është thelbësore për të nxitur gjithëpërfshirjen, për të reduktuar varfërinë dhe për të rritur kapacitetin produktiv dhe sipërmarrës të grave, për të siguruar rritje dhe zhvillim ekonomik të barabartë dhe të qëndrueshëm. Ajo është artikuluar mirë në dokumente të ndryshme strategjike, duke përfshirë Strategjinë Kombëtare për Integrim dhe Zhvillim (2014-2020) dhe Strategjinë e re Kombëtare për Barazinë Gjinore (2021-2030).
Përmirësimet e fundit të legjislacionit vendas, rregulloreve dhe procedurave administrative kontribuan për të kapërcyer boshllëqet e zbatimit të lidhura me gjininë midis ligjit dhe praktikës në faza të ndryshme të procesit të regjistrimit të tokës, duke i shndërruar të drejtat ligjore të grave në regjistrim të pronës së përbashkët. Pra, ligji i ri “Për Noterinë” synonte garantimin e të drejtave pronësore të grave (përfshirë të drejtat e tokës) në lidhje me mbrojtjen e pronës ndërsa ligji i ri “Për Kadastrën Shtetërore” synonte rregullimin e elementeve të barazisë gjinore në lidhje me regjistrimin e pronës. Bashkëpunimi më i mirë ndërmjet noterëve publikë dhe zyrave të regjistrimit të tokës kontribuoi në reduktimin e praktikave tradicionale diskriminuese me bazë gjinore në zotërimin e tokës. Në bashkëpunim të ngushtë me FAO dhe GIZ, institucionet shqiptare u njohën me metodologjinë e FAO-s për mbledhjen e të dhënave rreth SDG 5.a.2. Është testuar dhe pilotuar pyetësori përkatës për mbledhjen e të dhënave të FAO-s. Rezultatet e vlerësimit ligjor treguan progres të mirë.
Edhe pse qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar mjedisin e politikave në lidhje me barazinë gjinore në të drejtat e tokës, monitorimi i këtij treguesi është shumë sfidues. Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të inkurajuar regjistrimin e përbashkët të tokës përmes stimujve ekonomikë në rastin e çifteve të pamartuara dhe për të rritur ndërgjegjësimin e grave për të drejtat e tyre për tokën. Në kuadër të Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të harmonizojë ndërhyrjet e saj me ministritë dhe palët e tjera të interesit për të arritur suksesin në arritjen e vizionit të vendit për vitin 2030, duke përfshirë zhvillimin e mjeteve dhe mekanizmave konkretë për të siguruar monitorimin e SDG. 5.a.
Do të doja t’ju falënderoja për vëmendjen tuaj dhe ju uroj një forum shumë produktiv.
Faleminderit.

 

{:}