Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Krifca dhe Soreca në Korçë, nis fushata mbi mbështetjen financiare të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi fushatën e komunikimit mbi mënyrën se si Bashkimi Evropian po mbështet sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri, ndërsa vendi po përparon drejt bërjes Shtet Anëtar dhe shqiptarët qytetarë të ardhshëm të BE-së. Duke u mbështetur në fushatën më të gjerë “Evropa është këtu”, kjo valë e re do t’i informojë qytetarët për ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë – e cila arrin në një total prej 100 milionë euro çdo vit – me fokus të veçantë te mënyra se si të rinjtë e vendit, fermerët dhe sipërmarrësit e agrobiznesit po përfitojnë nga ndihma e BE-së përmes programit IPARD.
Aktiviteti për nisjen e fushatës për bujqësinë dhe zhvillimin rural “Evropa është këtu 2.0” u zhvillua në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, në prani të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, si dhe pedagogëve e studentëve.
Në fjalën e tij, Ambasadori Soreca tha: “Bujqësia është një fushë kyçe e mbështetjes së BE-së në Shqipëri. Arsyet janë të qarta. Jo vetëm që bujqësia ka një pjesë të veçantë në historinë dhe identitetin e Shqipërisë, por pothuajse 40% e popullsisë shqiptare jeton në zonat rurale dhe pothuajse gjysma e fuqisë punëtore shqiptare punon në bujqësi dhe sektorë të lidhur me të. Duke njohur rëndësinë e këtij sektori, vetëm në 5 vitet e fundit, që nga viti 2018, BE-ja ka vënë në dispozicion mbi 70 milionë euro për të mbështetur ekonominë rurale, agrobiznesin, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe peshkimin. Madhësia e këtij investimi e kualifikon BE-në – deri tani – si mbështetësin më të madh të sektorit agroushqimor shqiptar”.
Ministria Krifca tha: “Iu bashkova sot ftesës së ambasadorit Soreca për të thënë se Europa është këtu, dhe e falënderoj që këtë fushatë e nisi në Korçë. Dhe në fakt në bujqësi, Europa është këtu me investime konkrete në asete fizike në ferma, në agropërpunim dhe në diversifikimin e fermave. Kemi plot raste suksesi në këtë qark me rreth 25 për qind të financimeve të programit ku qarku renditet i pari në përthithjen e fondeve të programit Ipard. Kjo punë është prodhuar nga një zinxhir njerëzish të bujqësisë e të lidhur me bujqësinë të cilët gjithnjë e më shumë kanë nevojë për dije ndaj më vjen mirë që hapi i parë i fushatës nisi në Universitetin Fan Noli, ku shumë prej studentëve të pranishëm do të jenë ekspertët e së nesërmes që do t’ í shërbejnë bujqësisë. Asgjë nuk mund të bëhet mirë pa dije, prandaj kontributi juaj të dashur studentë, do të jetë shumë i rëndësishëm. Synojmë të konkurrojmë në tregun europian me cilësi që vjen veç përmes përshtatjes me dijen”, tha Krifca në audiencën me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin “Fan Noli”.
Për informacion të detajuar në lidhje me mbështetjen e BE-së për sektorin e bujqësisë vizitoni www.euprojects.al, që mbledh informacion mbi projektet e kaluara dhe ato në vazhdim të financuara nga BE-ja në Shqipëri.
Për të mësuar më shumë rreth programit IPARD, instrumenti i asistencës para-anëtarësimit për zhvillimin rural me fokus zonat rurale dhe sektorët agroushqimorë, vizitoni www.ipard.gov.al.

{:}