Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në takimin e mbrëmshëm me Shtabin e Emergjencës, në zyrën e Prefektes së qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, mbi situatën e shkaktuar nga reshjet në këtë qark, deklaroi se, “Ekipet e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit dhe strukturat përkatëse janë në terren dhe gatishmëri të plotë non-stop, për menaxhimin e situatës së krijuar”.

Ministrja prej mëngjesit të së dielës, bashkë me ekipin e Ministrisë dhe grupet e punës, monitoroi nga afër dy hidrovorët e rëndësishëm që janë në rajonin e Shkodrës, atë të Vilunit dhe Çastit.

Krifca tha se “Situata në hidrovorë është në kontroll të plotë. Puna aty vijon normalisht dhe stafi bashkë me ekipet e punës janë aty. Nuk kemi mungesë të energjisë elektrike dhe jemi në kontakt me OSHEE-n për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të hidrovorëve. Puna në hidrovorë vijon me tërheqjen e ujit nga toka”.

Ministrja informoi se bashkisë së Vaut të Dejës, i është vënë në dispozicion një eskavator për një ndërhyrje në zonë, teksa theksoi se, “të gjitha mjetet që kemi në dispozicion janë në gatishmëri për çdo situatë që paraqitet”.

Krifca tha se, kemi marrë masa dhe janë në gatishmëri të plotë edhe Drejtoritë e Veterinarisë, nëse do të ketë nevojë për lëvizjen e blegtorisë, apo për të asistuar blegtorët në rast nevoje.

Krifca, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha institucionet e linjës, tha se Prefektura dhe pushteti lokal janë në bashkëpunim dhe një bashkërendim të punëve për të përballuar me kurajo çdo situatë që paraqitet nga moti me reshje të dendura.

{:}