Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Edicioni i 18-të i Panairit të verës “Vini Arbëreshë”, që u mbajt më 24 qershor në Vaccarizzo Albanese, në Kalabri, në zonën arbëreshe, bëri bashkë prodhuesit e verës tradicionale arbëreshe dhe shqiptare, me qëllimin promovimin e cilësisë së verës, rritjes së shkëmbimeve tregtare, ripërtëritjen e identitetit historik, kulturës dhe traditës shqiptare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në kuadër të vizitës zyrtare që zhvilloi në Itali, në rajonin e Kalabrisë, në zonën arbëreshe, vizitoi Panairin e verës “Vini Arbëreshë”, ku merrnin pjesë autoritetet e këtij rajoni: Antonio Pomillo, Kryetar i Bashkisë Vaccarizzo Albanese, Gianluca Gallo, këshilltar për Bujqësinë, Resurset Agroushqimore dhe Pylltarinë, Rajoni i Kalabrisë, Giacomo Giovinazzo, Drejtor i Përgjithshëm i departamentit për bujqësinë dhe resurseve agroushqimore, Rajoni Kalabrisë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministrja Krifca, vlerësoi mikpritjen e komunitetit arbëresh dhe organizimin e eventeve të këtij lloji, që bëjnë bashkë prodhuesit shqiptarë me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes prodhuesve të verës së mirë, si identitet specifik për të dy vendet tona.
“Jemi këtu së bashku me prodhuesit tanë të verërave, me Shoqatën e Restoranteve dhe Bujtinave, ku marrim pjesë në një mbrëmje feste, pikërisht në Vaccarizzo Albanese, që është një ndër bashkitë e komuniteteve arbëreshe këtu në Itali, Kalabri. Kemi ardhur për të marrë pjesë në një festë të konkursit të verës “Vini Arbëreshë”, edicioni i 18-të, të prodhuar nga prodhuesit e verës arbëresh”, u shpreh Krifca.
I pranishëm në këtë takim, ishte edhe kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo.
Ministrja Krifca tha se, jemi këtu së bashku me kryetarin e Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, si një zonë që përmban disa prej kantinave të varieteteve autoktone shqiptare.
“Jemi shumë krenarë që jemi mirëpritur dhe jemi pritur me mbresa të jashtëzakonshme, me mikpritje, me vëllazëri shumë të madhe. Jemi të lumtur që prezantohemi me dinjitet me produkte ekselence shqiptare dhe jemi ndjerë shumë mirë”, u shpreh Krifca.
Degustimi i verërave i shoqëruar me gatime të produkteve vendase tërhoqi kureshtarët, turistët, profesionistët e sektorit të verërave, të cilët përfituan nga festivali për të marrë pjesë, por mbi të gjitha për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri mbi temën e verës. Në qendrën historike ku u mbajt ky aktivitet kishte shumë kompani dhe prodhues që u ofruan vizitorëve më të mirën e prodhimit të tyre shoqëruar me verë artizane tradicionale cilësore, ku padyshim tërhoqi vëmendje të veçantë vera shqiptare.
Eventi synon promovimin dhe rritjen e verërave nga prodhuesit e vegjël në komunat arbëreshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit me prodhuesit shqiptarë të këtij sektori.{:}