Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) është një partner i rëndësishëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) në shumë procese konstruktive në detyrat e bujqësisë.
Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë një takimi që zhvilloi në ambientet e MBZHR-së, me përfaqësues së KASH-it, ku ndër tjera theksoi, që dëshiron ta intensifikojë këtë partneritet.

“Zhvilluam një takim të frytshëm më Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, një shembull model i bashkimit si fuqi e madhe për zhvillim, ku rreth 37 përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të bujqësisë bashkëveprojnë në të mirë të gjithësecilit”, u shpreh Denaj.

Ministrja theksoi se, dëgjoj me vëmendje çështjet dhe nevojat e tyre, si një përgjegjësi e përbashkët për të rritur formalizimin dhe aksesin e fermerëve në tregje.
“Dakordësuam të standardizojmë komunikimin me pjesëmarrjen e 3 anëtarëve të KASH në grupet e punës për të përmirësuar operacionet gjatë vitit të ardhshëm, si edhe përfaqësues për këshillin e të urtëve”, deklaroi Denaj.

KASH përfshin në vetvete 25 shoqata kombëtare dhe 12 këshilla rajonale të agrobiznesit që operojnë në sektorët e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit dhe akuakulturës, agrobiznesit, agropërpunimit, bimëve mjekësore e aromatike dhe bletarisë, agroturizmit, agropylltarisë dhe mjedisit në zonat rurale, tregjeve agroblegtorale, financës dhe mikrofinancës.


{:}