Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Në Ditën Botërore të Ushqimit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve të zgjedhin prodhimet shqiptare.

Denaj tha se, “Dita Botërore e Ushqimit, ka për qëllim të sensibilizojë mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.
Ministrja vuri në dukje angazhimin e Shqipërisë për rritjen e sigurisë ushqimore, për të sjellë produkte me cilësi e standarde të larta, për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
“Në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria tashmë po bën përafrimin e legjislacionit për fushën e sigurisë ushqimore, për të sjellë produkte me cilësi e standarde të larta për konsumatorët vendas e të huaj”, u shpreh Denaj.

Ajo u bëri apel të gjithë konsumatorëve, të zgjedhin prodhimet shqiptare, duke përkrahur kështu fermerët, që punojnë çdo ditë për të na sjellë prodhime cilësore e me shije në tryezat tona.

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) çdo vit në datën 16 tetor (datë kur u krijua FAO në 1945). Kjo ditë organizohet që prej 1981 dhe synon të sensibilizojë politikëbërësit mbirëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqënien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.

{:}