Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës është krijuar me VKM nr.719, datë 20.10.2011 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e drejtorisë së shërbimeve të midhjes dhe peshkimit, Sarandë”, ndryshuar me VKM nr.1068, datë 14.12.2013 ku ka marrë emërtimin “Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, më pas është ndryshuar me VKM nr.44, datë 29.01.2014 ku është përcaktuar Fusha e Veprimit dhe Detyrat përkatëse që renditen më poshtë, dhe me Urdhrin nr.96, datë 21.02.2014 i është shtuar “Sektori i Monitorimit dhe Kontrollit” me inspektorë në të dymbëdhjetë qarqet e vendit.

Kështu struktura e Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës përbëhet nga: Sektori i Akuakulturës, Sektori i Financës dhe i Shërbimeve, Sektori i Menaxhimit të Porteve dhe Sektori i Monitorimit dhe Kontrollit.

Bazuar sa më sipër kjo Drejtori ka për mision përmbushjen e të gjitha shërbimeve të nevojshme shtetërore që lidhen me menaxhimin e infrastrukturës dhe të dhënave të peshkimit e të akuakulturës, si dhe garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në mbrojtjen e peshkimit dhe akuakulturës në Republikën e Shqipërisë.

Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës kryen këto detyra:

• Menaxhon infrastrukturën e peshkimit, përfshirë portet dhe qendrat e peshkimit.
• Grumbullon të dhënat e peshkimit.
• Harton programet e ripopullimit të kategorive ujore.
• Menaxhon qendrën dhe impiantet e midhjes Sarandë.
• Menaxhon ekonomitë e rasateve të peshkut në Zvezdë Korçë, të rasateve të koranit në Lin Pogradec dhe ekonomitë e tjera të rasateve të peshkut.
• Garanton respektimin e kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së peshkimit dhe akuakulturës nëpërmjet monitorimit dhe inspektimit të veprimtarisë së peshkimit. Monitorimi dhe inspektimi i veprimtarisë së peshkimit kryhen nga sektori i monitorimit dhe kontrollit të peshkimit, pjesë e Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës.

Kontakt: 04 222 65 51

Drejtor: Arjan Demiri – arjan.demiri@dshpa.gov.al

PANARITI, URDHËR PËR NDALIMIN E PESHKIMIT NË LIQENIN E SHKODRËS, NGA 1 PRILL DERI 1 MAJ 2014

Ministri i Bujqësisë, zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti ka urdhëruar ndalimin e peshkimit me çfarëdo lloj mjeti dhe metode gjuetie, të të gjithë llojeve të peshqve në Liqenin e Shkodrës nga data 1 prill deri në 1 maj 2014, me përjashtim të peshkimit të ngjalës me grepa. Gjithashtu ndalohet për këtë afat, vec gjuetisë, edhe mbajtja në bord, trazntimi në barkë dhe hedhja në treg ose për konsum i të gjithë llojeve të peshqve të peshkuar gjatë kësaj periudhe.

Peshkatarët që do të peshkojnë ngjalën me grepa lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre vetëm sipas kushteve të mëposhtme: Të mos kenë në barkë asnjë mjet tjetër peshkimi përveç grepave; Nisja për në liqen të bëhet vetëm nga zonat Zogaj, Shirokë, Grizhë, Kamicë dhe Shegan; Aktiviteti të zhvillohet në distancë 500 metra nga bregu në zonën Zogaj, Shirokë, Fushë-Bunë, Pylli Dobraçit, Vrakë, Grizhë, Kalldrun Jubicë, 150 metra në zonën Kamicë, Flakë, Kosan e Shegan dhe Hot; I gjithë prodhimi të zbarkohet në qendrën e OMP Shirokë.

Gjithashtu, ndalohet të zhvillohet aktiviteti i peshkimit përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës në distancë 200 metra nga data 1 maj 2014 deri më datë 31 maj 2014. Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit nëpërmjet sektorit të kontrollit të peshkimit, inspektoratit të peshkimit Shkodër, në bashkëpunim me Rojet e Peshkimit të OMP, në zbatim të “Marrëveshjes për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe shfrytëzimin racional të burimeve peshkore në liqenin e Shkodrës”, të marrin masa për hartimin e planit të Përbashkët Operativ për zbatimin e këtij Urdhri duke përcaktuar mënyrën dhe frekuencën e kontrolleve të përbashkëta, organizimin e vendqëndrimit të barkave dhe të kontrolleve në treg të produkteve peshkore.