Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime të Udhëzimit nr.1 dt 08.01.2021 “Për Skemën e Mbështetjes me Naftë”, proces që ka nisur të zbatohet më 15 janar.

Udhëzimi i ri i datës 4 shkurt do të saktësojë dhe do të plotësojë procedurën e aplikimit dhe kontrollin e tyre.

Gjithashtu, ndryshimet dhe shtesat e reja të udhëzimin e parë të datës 8 janar, do të eliminojnë rastet e skualifikimit të fermerëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përfitimit të naftës falas.
Në udhëzimin nr.6 datë 4.2.2021, thuhet se, në rastet kur dokumenti i pronësisë i dorëzuar nga aplikanti është fotokopje, do të konsiderohet i vlefshëm nëse pas kontrollit administrativ, do të konfirmimohet pozitiv prej Agjencisë Shtetërore tëe Kadastrës.

Një tjetër shtesë e miratuar në udhëzimin e ri, është dhe heqja e kërkesës për noterizim të dokumentit të pronësisë, apo të përdorimit të tokës bujqësore, sipas statusit të fermerit aplikant për skemën e mbështetjes me naftë falas.

Kështu, sipas Udhëzimit nr.6 të datës 4 shkurt, thuhet se kontratat e vlefshme të qiramarrjes, të cilat duhet të përfshijnë dhe vitin 2021, të lidhura me ish drejtoritë e bujqësisë, MBZHR, ose komunat/bashkitë kanë të njëjtën vlerë me ato të bëra pranë noterit publik dhe nuk kërkohen të jenë të noterizuara.

Gjithashtu, në udhëzimin e ri përcaktohet qartë se të dhënat që do të merren në konsideratë nga punonjësit e AREB-it gjatë procesit të aplikimit të fermerit për naftën falas.

Sipas udhëzimit, në rastet kur të dhënat e sipërfaqes së tokës që dorëzon fermeri në bazë të Aktit të Pronësisë, ndryshojnë me të dhënat e Kadastrës, do të merren në konsideratë të dhënat e Agjencisë së Kadastrës.

Po ashtu, në pikën 10 të udhëzimit nr.1 dt 08.01.2021, shtohet dhe kërkesa për marrëveshje dakordësie dhe në rastet kur aplikanti është njëri prej bashkëpronarëve sipas certifikatës së pronësissë së tokës bujqësore.

Një tjetër shtesë në udhëzimin e datës 8 janar “Për skemën e mbështetjes me naftë{, është dhe kërkesa për dorëzimin e kontratës së qirasë/huasë e noterizuar në rastet kur certifikata e pronësisë së tokës bujqësore është në pronësi të personit/personave të ndryshëm nga aplikanti, pavarësisht se aplikanti mund të jetë anëtar i së njëjtës familje.

Po ashtu, udhëzimi i ri i datës 4 shkurt saktëson se përvec kontrollit të punonjësve të AREB-ve, të të dhënave për sipërfaqen e parcelës që deklaron fermeri në formularin e aplikimit me dokumentat që ngarkohen në sistem, këto të dhëna duhet të konfirmohen me vërtetimin pozitiv/negativ dhe nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Në fund të procesit, udhëzimi i ri ngarkon ministrinë e Bujqësisë për asksesimin e listave pjesore dhe përfundimtare të aplikimeve të miratuara dhe të skualifikuara nga AREB-et.