Ministria e Arsimit dhe Sportit

Lundroni në këtë Seksion

Nina Guga – Zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit

Znj. Nina Guga ka lindur në qytetin e Fierit në vitin 1960.

Ajo ka një karrierë si drejtore, mësuese, lektore dhe autore tekstesh shkollorë për shkencën e Kimisë. Gjatë viteve 1979-1983 ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, dega Biologji-Kimi.

Me mbi tridhjetë e pesë vite në fushën e arsimit, znj. Guga zotëron një eksperiencë të gjatë e të suksesshme në edukimin e brezave. Në njëzet vjet mësuese e Gjimnazit historik “Qemal Stafa”, ka drejtuar ekipin lëndor të Kimisë dhe Biologjisë. Në vitet 2014-2019 ka mbajtur pozicionin e Drejtores së këtij gjimnazi, vite në të cilat e ka renditur shkollën fituese të shumë çmimeve, olimpiadave kombëtare e projekteve ndërkombëtare.

Paralelisht eksperiencës arsimore, znj. Guga ka dhënë kontributin e saj si bashkëpunëtore e jashtme pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit (tani ASCAP) dhe në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), ku ka pasur mundësinë të jetë pjesë e grupeve të punës në hartimin e programeve kurrikulare dhe testeve të provimeve kombëtare. Falë punës së saj të shkëlqyer, i janë dhënë certifikata të ndryshme si trajnere në fushën e edukimit.

Gjatë viteve 2009-2013, znj. Nina Guga ka qenë lektore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Masteri i Mësuesisë në lëndën “Kurrikula e Kimisë në Gjimnaz” dhe “Praktikat Profesionale”.

Prej vitit 2008 është bashkë-autore e nëntë teksteve shkollore të lëndës së Kimisë, librave metodikë të mësuesit dhe librave të ushtrimeve për të dyja ciklet. Në vitin 2018, Znj. Guga ka qenë gjithashtu pjesë e grupit përkthyes e përshtatës të Kimisë me Zgjedhje 12 nga Oxford University Press.

Znj. Nina Guga është e martuar me Z. Klement Guga dhe së bashku kanë dy fëmijë.