Ministria e Arsimit dhe Sportit

Lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për Qeverinë Shqiptare ndër shumë të tjerë, por përbën një nga 5 prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane. Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit,  përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese. Objektivi ynë primar është pikë së pari të forcojmë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe të rrisim shkallën e besimit tek puna konkrete e Qeverisë dhe reformave që po ndërmerren. Korrupsioni luftohet dhe minimizohet me veprime të koordinuara, e mbi të gjitha me një kuadër ligjor të plotë. Lufta kundër korrupsionit nuk është një qëllim në vetvete. Që nga viti 2013, Shqipëria është në rrugëtim të transformimit kombëtar. Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit ka marrë angazhimin për t’u përkujdesur për një performancë dhe kulturë më të lartë në luftën kundër korrupsionit në sektorët më vulnerabël dhe të ndjeshëm ndaj korrupsionit; për t’u siguruar që administrata jonë publike, nëpunësit tanë civilë e të gjithë zyrtarët e tjerë publik, të jenë efiçentë, të kenë integritet të lartë, të jenë të kujdesshëm gjatë ushtrimit të detyrave të tyre si dhe të jenë të përgatitur për të luftuar praktikat korruptive që cënojnë mirëfunksionimin e sistemit. Nga ana tjeter, pjesëmarrja aktive qytetare në procesin kompleks të qeverisjes është një domosdoshmëri dhe garanci për ruajtjen e integritetit të qeverisjes. Transparenca në veprimtarinë shtetërore dhe aksesi i qytetarëve në informacionin e mbajtur nga qeveria është një kusht thelbësor për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike si dhe për mbrojtjen e interesave të tyre private.

Në shkurt 2015 – Qeveria prezantoi portalin unik të denoncimit të praktikave korruptive www.stopkorrupsionit.al, një platformë e krijuar enkas për qytetarët,  përmes së cilës ata kanë mundësi të denoncojnë – edhe në mënyrë anonime – praktikat korruptive me të cilat përballen. Portali ofron shpejtësi dhe efikasitet në marrjen e informacionit prej qytetarëve, si dhe dërgimin e tij për zgjidhje në destinacionin përkatës. Që nga momenti kur qytetari kryen denoncimin në portal, ky denoncim shpërndahet në të njëjtën kohë në katër drejtime të ndryshme. Këto drejtime janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përgjegjësia për të trajtuar denoncimin shkon në nivelin më të lartë, tek zyra e Kryeministrit, zyra e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, Njësia Antikorrupsion në Kryeministri dhe tek Salla Operacionale,e cila punon për të siguruar ndjekjen e të gjitha denoncimeve dhe për të pasur nën kontroll të gjithë procesin 30 ditor të trajtimit të çdo denoncimi. Portali përbën një prej komponentëve kyç të fushatës së qeverisë kundër korrupsionit, që synon rritjen e transparencës dhe të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike.
Efikasiteti i portalit online stopkorrupsionit.al është dëshmuar edhe gjatë konferencës rajonale të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (PQH-OGP). Mes shteteve të Ballkanit perëndimor, Shqipëria nëpërmjet portalit unik të denoncimit të korrupsionit u zgjodh me votë të të gjithë pjesëmarrësve si shembulli më i mirë bazuar në parimet e Partneritetit për Qeverisjen e Hapur. Databaza e portalit unik online për denoncimin e korrupsionit sot numëron në total 10543 denoncime, nga të cilat 5265 rezultojnë të zgjidhura. Rastet e denoncuara ndiqen me përgjegjshmëri të lartë, deri në zgjidhjen e tyre, fakt i mbështetur me të dhëna si marrja e 92 masave disiplinore dhe 71 kallëzimeve penale.

Fushata e ndërgjegjësimit “Trego fytyrën e korrupsionit” ka për qëllim të inkurajojë qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë me denoncimin e korrupsionit duke përdorur portalin unik online për denoncim, stopkorrupsionit.al. Lufta e suksesshme kundër korrupsionit është e mundur duke vepruar bashkë, përmes angazhimit aktiv të qytetarëve për çjerrjen e maskës së korrupsionit si dhe ndjekjen e ndërmarrjen e masave ndëshkuese nga Qeveria shqiptare, me qëllim ruajtjen e integritetit të qytetarëve shqiptarë dhe realizimin e një nga pesë prioriteteve kyçe për integrimin dinjitoz të Shqipërisë ne familjen Evropiane.

TREGO FYTYRËN E KORRUPSIONIT!
DENONCO TË PADUKSHMEN AQ TË DUKSHME