Ministria e Arsimit dhe Sportit

Pak ditë më parë u miratua udhëzimi i ri, i cili mundëson që profesionin e mësuesit ta ushtrojnë edhe profesionistë të diplomuar në dy cikle, Bachelor dhe Master, në fusha të ndryshme, si Gjuhë Shqipe-Letërsi, Gjuhë e Huaj, Matematikë, Biologji, Kimi, Fizikë, Shkenca Sociale, Qytetari, Filozofi, Histori, Gjeografi, Ekonomi, Muzikë, Art Pamor, Kërcim, Teatër, Edukim Fizik dhe TIK, por pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.

Sot në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit u zhvillua një takim me përfaqësues të universiteteve, për të diskutuar rreth hapjes së programeve të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike.

Ministria e Arsimit, së bashku me fakultetet që kanë programe studimi në fushën e arsimit, ngritën një grup të përbashkët pune për të hartuar bazat e programeve në fushën psiko-pedagogjike, bazuar në kriteret e përcaktuara që i hapin rrugën diplomave të njëvlershme, të ngjashme ose të përafërta me fushën e mësimdhënies në arsimin parauniversitar.

Pas këtij procesi, ministria do të bëjë vlerësimin dhe miratimin e programeve të përshtatshme dhe brenda vitit të ardhshëm akademik këto programe do të hapen, duke u dhënë këtë mundësi të gjithë të interesuarve.

https://www.facebook.com/kushievis/posts/pfbid02DrTqKnu5Phyiy1pxCh3zPE9xz5kWR7qFu6Y7fyR6SqsGagCeZEErPBQbrQpHGtryl