Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

Mirdita!

 

Ky komunikim i yni bashkë sot është shumë i rëndësishëm, ndaj kërkoj vëmendjen tuaj të plotë.

 

Dhe nëse ka diçka të paqartë pas prezantimit tim fillestar, ju lutem të më bëni pyetje dhe do të përsërisim gjithë informacionin. Në ditët si sot, informacioni i përsëritur është në dobi të mirë-informimit.

 

Prezantimi im fillestar është i strukturuar në tri shtylla kryesore:

 

  • Do flas për konstatimet e dëmeve infrastrukturore që janë bërë gjatë ditëve që kaluam;
  • Do flas për vendimet që kemi marrë për rifillimin e mësimit;
  • Dhe në fund, do kaloj tek porositë që kemi lënë për mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe gjithë stafin që përkujdeset për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

 

Më datë 26 nëntor, pra ditën kur edhe ndodhi tërmeti kryesor, kemi marrë një informacion paraprak nga të gjithë drejtorët e shkollave dhe drejtuesit e Zyrave Vendore Arsimore për gjendjen e shkollave në gjithë Shqipërinë. Ky nuk është një informacion profesional, sepse drejtuesit e shkollave dhe drejtuesit e zyrave arsimore nuk janë inxhinierë, janë kryesisht mësues. Kështu që thjesht kanë raportuar për ato çfarë kanë parë – nëse ka patur çarje apo dëmtime në shkollë; apo nëse nuk ka patur dëmtime në shkollë.

 

Këtë informacion të mbledhur e kemi shpërndarë tek bashkitë dhe tek inxhinierët e ndërtimit, të cilët me datë 27 nëntor – të gjithë inxhinierët bashkiakë në bashkitë respektive dhe paralelisht Instituti i Ndërtimit për Qarkun Durrës – kanë bërë verifikimet në terren të një pjese të madhe të shkollave.

 

Më datë 28 dhe 29 nëntor, Institutit të Ndërtimit iu bashkëngjitën edhe një numër i madh i inxhinierëve që erdhën nga Kosova. Ata mbuluan edhe një numër prej 150 shkollash të tjera, paralelisht me inxhinierët bashkiakë që vazhduan të mbyllnin inspektimet në shkollat e mbetura.

 

Më datë 30 nëntor, i gjithë informacioni nga terreni është analizuar dhe kemi konstatuar se ka një numër të konsiderueshëm të shkollave që ose kanë dëmtime të thella, apo kanë edhe dëmtime serioze por jo të thella, të cilat mund të riparohen por kanë nevojë për disa ditë kohë që të bëhen riparimet e nevojshme.

 

Në Qarkun Durrës, siç mund ta paramendoni, janë edhe dëmtimet më të rënda në objektet shkollore.

 

Dhe Qarku Durrës dhe Qarku Lezhë – dëmtime të thella dhe dëmtime serioze por jo shumë të thella, por që kërkojnë një kohë të caktuar për meremetim – janë 26.

 

Në Qarkun Tiranë kemi shkolla që kanë patur dëmtime mesatare, jo të thella, pra mbi të cilat do të kryhen meremetime dhe do të rihapen për disa ditë.

Përveç shkollës në fshatin Pezë, e cila tani është mbyllur dhe për nxënësit jemi siguruar se do të zhvendosen në një objekt tjetër.

Nga shkollat e tjera të cilat kanë nevojë për riparime më të thella, janë 23 shkolla në Qarkun Tiranë.

Shkolla me dëmtime të lehta që meremetohen me stukime dhe me lyerje, ka më shumë por ato nuk do t’i raportoj sot sepse nuk paraqesë asnjë rrezik as për nxënësit dhe as për mësuesit dhe bashkitë i adresojnë për një periudhë shumë të shkurtër kohore.

 

Një pjesë e shkollave që kanë patur dëmtime të vogla janë meremetuar dhe një pjesë e shkollave në Qarkun Tiranë që kanë patur dëmtime pakëz më serioze dhe kanë kërkuar 2-3 ditë kohë për ndërhyrje, edhe ato janë mbyllur (por nuk janë mbyllur të gjitha).

 

Tani, duke marrë parasysh konstatimet, MASR  mbrëmë ka finalizuar planin e zhvendosjes së nxënësve nga shkollat që janë shumë të dëmtuara (të cilat nuk do të hapen as pas një periudhe kohore) tek shkollat pritëse.

Kjo ishte e nevojshme që të dimë se kur të rifillojë mësimi tamam, ku do të shkojnë nxënësit në shkollë.

Kemi bërë kalkulimin e kostove të kësaj zhvendosje dhe jemi tani në proces të organizimit të mjeteve transportuese që do ta bëjnë këtë lëvizje. Kjo përfshin edhe nxënësit të cilët janë të strehuar përkohësisht nëpër hotele – pra ata nxënës do ta ndryshojnë shkollën dhe duhet që t’i transportojmë tek shkollat më të afërta dhe pasdite do të kenë një shërbim tjetër arsimor nëpër vend-strehimet e përkohshme që do t’i ndihmojnë me detyrat e shtëpisë dhe mësimin për të nesërmen.

 

Planin e punës së mësuesve që do zbatojnë programin “bëjmë detyrat e shtëpisë” e kemi mbyllur për strehimet e përkohshme.

 

Dhe kemi bërë planin e punës përgatitore për mësuesit, të cilët gjithsesi do të dalin në punë para se të vijnë nxënësit në shkollë në mënyrë që të përgatisin gjithë procesin e rifillimit të mësimit.

 

Duke marrë parasysh gjendjen infrastrukturore të shkollave, gjendjen e banimit të familjeve që kanë humbur shtëpitë, si dhe nevojat që kanë bashkitë për të bërë meremetimet e nevojshme – sot me propozimin tim, Këshilli i Ministrave mori këtë vendim:

 

  • Në Qarkun Durrës (bashkitë Krujë, Durrës dhe Shijak) mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 dhjetor (e hënë).

 

  • Në Qarkun Tiranë (bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë) dhe Qarkun Lezhë (bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë) – mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor (e enjte). Por ruajmë mundësinë që ta shtyjmë edhe për disa ditë të tjera pezullimin e mësimit në rast se nuk sigurohemi se të gjitha shkollat janë në gjendje të sigurt infrastrukturore.

 

Njoftimin nëse shtyjmë pezullimin e mësimit për këto 2 qarqe, e bëjmë një ditë para, pra me datë 4 Dhjetor.

 

  • Në të gjitha qarqet e tjera, pra në 9 qarqet e tjera – nesër, me datë 2 dhjetor, mësimi rifillon normalisht.

 

Këtu dua të nënvizoj edhe 2 shkolla që janë dëmtuar në Qarkun Elbasan – shkolla Tregan (Bashkia Elbasan) dhe Funar (Bashkia Librazhd) – këto 2 shkolla kanë një numër relativisht të vogël të nxënësve dhe kemi siguruar gjithsesi transportimin e tyre tek shkollat më të afërta dhe këto 2 shkolla do ta fillojnë gjithsesi mësimin nesër.

 

Komunikimi me mësuesit dhe prindërit e nxënësve të këtyre dy shkollave do të bëhet nga drejtuesit e zyrave vendore arsimore (ZVA) dhe nga drejtorët e shkollave. Por puna kryesore është kryer për të transferuar këta nxënës tek shkollat më të afërta dhe ky komunikim do të ndodhë sot gjatë ditës.

 

Vendimi për pezullimin e mësimit deri me 5 Dhjetor për Qarqet Tiranë dhe Lezhë, si dhe 9 Dhjetor për Qarkun Durrës, vlen edhe për shkollat private.

 

 

 

Ndërsa për kopshtet e çerdhet – për shkak se janë nën administrimin e bashkive – do ketë fleksibilitet.

 

Për qarqet Lezhë dhe Tiranë, kopshtet dhe çerdhet të cilat janë certifikuar nga  inxhinierët bashkiakë si të sigurta, me vendim të bashkisë përkatëse, edhe mund të rihapen. Komunikimi për çerdhet dhe kopshtet që do të mund të rihapen – që janë të sigurta – do të bëhet nga vetë bashkitë direkt me drejtuesit e këtyre institucioneve dhe prindërit. Përsëris: kjo vlen vetëm për qarqet Lezhë dhe Tiranë. Për Qarkun Durrës, edhe kopshtet dhe çerdhet nuk rifillojnë mësimin deri më datë 9 Dhjetor.

 

Ky vendim për rifillimin e mësimit vlen vetëm për nxënësit.

 

 

Mësuesit i presim në punë duke filluar nga nesër, datë 2 Dhjetor – me një fleksibilitet të lehtë për mësuesit në qarkun Durrës që ndoshta jo të gjithë mund të paraqiten në punë nesër.

 

Në shkollat që po riparohen, mësuesit do të ritakohen në një shkollë tjetër të afërt.

 

SOT të gjithë drejtorët e shkollave do të marrin informacion nga bashkitë respektive nëse shkolla e tyre mund t’i hapë dyert nesër për takimin e mësuesve dhe të planifikojë pastaj takimin në shkollën më të afërt.

 

 

 

 

 

Kjo është e domosdoshme që të bëhet, në mënyrë që të përgatitemi për rifillimin e mësimit. Paraqitja e mësuesve në shkollë nesër nuk është opsionale dhe Zyrat Vendore Arsimore do të monitorojnë të gjithë procesin e këtyre takimeve që do të bëjnë mësuesit në shkollat respektive.

 

Kemi patur mirëkuptim për mosprezencën në punë të mësuesve apo drejtuesve të shkollave dhe specialistëve të ndryshëm të sektorit publik. Ishte e kuptueshme për shkak të gjendjes që u krijua këtë javë, duke marrë parasysh që shkollat nuk u hapën me datë 26 nëntor. Kjo nuk paraqiti ndonjë problem.

 

Por tani është momenti kur ne duhet të përgatitemi për rifillimin e mësimit, pa përjashtim. Puna në sektorin publik na obligon për një shërbim publik. Jemi në gjendje të jashtëzakonshme në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, ndaj angazhimi i TË GJITHË punonjësve publikë është i domosdoshëm. Frika nga tërmetet që mund të kenë përjetuar edhe mësuesit vihet në plan të dytë, sepse tani në plan të parë kemi nxënësit, sigurinë e tyre fizike dhe gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike.

 

Një pyetje që po më bëjnë punonjësit e sektorit publik për rifillimin e mësimit dhe punës është: çfarë të bëjmë me fëmijët tanë nëse shkollat nuk do hapen, kush do të kujdeset për ta? Kam shumë mirëkuptimin për përkujdesjen ndaj fëmijëve në përgjithësi, sidomos në këtë situatë që po kalojmë tani, për përkujdesjen e fëmijëve të mësuesve dhe punonjësve të tjerë të administratës publike në veçanti, por në kushtet që jemi, në këtë situatë të jashtëzakonshme secili duhet të gjejë një zgjidhje  të përkohshme të fëmijëve të tyre, në mënyrë që ne bashkërisht të kemi mundësi të përkujdesemi për nxënësit. Ky është një obligim i yni në kushte të zakonshme, por është trefish obligim i yni në kushte të jashtëzakonshme.

 

Kam disa porosi për stafin mësimor, drejtues të shkollave dhe gjithë shërbimin psiko-social

 

Arsyeja pse mësuesit duhet të dalin në punë prej nesër, është të fillojmë përgatitjen e shkollave për rifillimin e mësimit.

Na duhet të krijojmë një ambient të sigurt. Jo vetëm fizikisht të sigurt, sepse mësuesi nuk e bën këtë, janë inxhinierët e ndërtimit dhe zyrat që merren me rikonstruksion në bashkitë.

Por ta bëjmë një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për nxënësit.

Ajo që na thonë ekspertët është se fuqia e pas-tërmeteve po vjen në rënie.  Kështu që unë nuk e besoj se në ditët në vijim duhet të bëjmë një evakuim të nxënësve. Por nëse është e nevojshme duhet ta kemi një plan pune për këtë.

Nuk na pengon asgjë që të marrim disa masa parandaluese që na ndihmojnë në përgatitjen e fillimit të mësimit.

 

Mësuesit duhet të marrin 3 masa nesër. Do t’i diskutojmë më në detaje me drejtuesit e shkollave dhe mësuesit në nivel shkolle. Por do të bëj një njoftim të përgjithshëm që edhe prindërit të ndjehen të sigurt kur t’i çojnë fëmijët në shkollë do të kenë mësuesit më të përgatitur që të merren me situatën.

 

  • Mësuesit do të rishohin videon e masave që duhet të ndërmerren me nxënësit në rast tërmeti dhe t’i memorizojnë ato, që të dinë se si të sillen në situata të ndryshme me një grup më të madh fëmijësh.
  • Të bëhet një plan emergjent për çdo klasë dhe ta memorizojnë. Ky plan duhet të bëhet për klasën por duhet të rakordohet në nivel shkolle që të koordinohet dalja e strukturuar e nxënësve nga shkolla në rast tërmeti.

 

Dua ta përsëris që këto janë masa PARANDALUESE dhe nuk besoj se do t’i vëmë në funksion por duhet t’i kemi të përgatitura, të memorizuara dhe të jemi në gjendje t’i zbatojmë menjëherë.

 

  • Masa e tretë është që duhet të lexojnë manualin e OBSH, që përgatit jo vetëm stafin psiko-social që të merret me nxënësit dhe me traumat që kanë përjetuar nga tërmetet apo edhe nga fatkeqësitë e tjera natyrore. Këtë manual duhet ta lexojnë edhe mësuesit dhe të memorizojnë hapat që duhet të ndërmerren dhe në rast se një nxënës shfaq shqetësime të ndryshme ka ndonjë frikë apo thjesht do që të bisedojë për përjetimin e vet të ngjarjeve të kësaj jave.

 

 

 

Pas ditës së parë kur mësuesit dhe shkollat do përgatiten për menaxhimin e rasteve të krizës nxënësit do të ftohen gradualisht nga mësuesit për tu paraqitur pranë në shkollave të sigurta, për të organizuar aktivitete të ndryshme, biseda, aktivitete sportive, zbavitëse apo edhe piknik nëse mban koha. Është e rëndësishme që rikthimi në një jetë sa më normale të jetë sa më i këndshëm dhe i ngrohtë për fëmijët.

Këto organizime do bëhen në nivel shkolle, ndaj prindërit do të komunikojnë me mësuesit kujdestare apo me drejtuesit e shkollave për më shumë. Nuk do të jetë në nivel bashkie, qarku apo në nivel kombëtar.

Punonjësit psiko-social këtë javë kanë qenë të angazhuar në këto hapësirat e përkohshme pritëse, nëpër hotele, kampe duke punuar me fëmijët dhe duke u ardhur në ndihmë  atyre. Nga dita e nesërme edhe shërbimi psiko-social do të jetë pranë shkollës për t’iu bashkëngjitur mësuesve të shkollave në hartimin e planit emergjent por edhe në hapat që duhet të ndërmarrin për të krijuar këtë ambient të ngrohtë për nxënësit që vijnë në shkollë.

 

Organizata “Social Lab Prishtina”, vullnetarisht dhe në kohë rekord ka përkthimin një prej manualeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi “Ndihmën e Parë Psikologjike” në mënyrë që të mbështesë krijimin e ambienteve shkollore të ngrohta e të sigurta për nxënësit që do të rikthehen në mësim; Këtë dhe informacione të tjera të ngjashme kemi shpërndarë tek i gjithë stafi psiko-social – do ta shpërndajmë edhe tek mësuesit.

 

Kemi edhe një organizim mes fakulteteve të shkencave sociale të universiteteve publike në vend, të cilët po organizojnë studentët e tyre të Masterit në Psikologji që janë para diplomimit të trajnohen fillimisht dhe më vonë do të shërbejnë direkt pranë nxënësve tanë duke organizuar aktivitete të ndryshme që mund tu vijnë në ndihmë atyre;

 

Po e përmbledh dhe një herë vendimin:

Për qarkun Durrës mësimi fillon më datë 9 dhjetor.

Për qarqet Tiranë dhe Lezhë mësimi rifillon më datë 5 dhjetor (me mundësi shtyrje në disa lokalitete me te prekura por njoftimin e bëjmë më datë 4 dhjetor).

Për planin e zhvendosjes së nxënësve në shkollat pritëse,  zëvendësimin e orëve mësimore të humbura, dhe çdo informacion tjetër që nuk është urgjent të komunikohet në këtë moment, do kemi një komunikim të dytë.

Edhe një koment të fundit, Data 9 dhjetor ishte data kur do të zëvendësohej festa e 8 dhjetorit që është Festa e Rinisë, një festë kombëtare kjo që do të duhej të merrej ditë pushimi data 9 dhjetor. Duhet të shohim që edhe datat e pushimit që janë të paracaktuara duhet t’i rishikojmë edhe një herë në mënyrë që të zëvendësojmë të gjitha orët e humbura të mësimit dhe të mundohemi të kthehemi në normalitet. Nuk do të jetë k i vetmi pushim i cili duhet të sakrifikohet në mënyrë që të rimarrim veten pas ngjarjeve të kësaj jave dhe të rikthehemi në shkollë. Për të gjitha këto do t’ju njoftojmë në vijim.

 

  • Ju faleminderit!