Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

 

KONFERENCË PËR MEDIA

4 DHJETOR, 2019

(FJALA E PLOTË E MINISTRES SHAHINI)

SITUATA PAS TËRMETIT – MASAT E NDËRMARRA & RIFILLIMI I MËSIMIT

 

 

Mirëdita,

Sot dua të ndaj me ju dy lloje informacionesh.

Dua të flasim pak për gjendjen e përgjithshme të nxënësve, mësuesve dhe shkollave, si dhe të bëj njoftimet e paralajmëruara për rifillimin e mësimit nëpër qarqet ku pezulluam mësimin fillimisht.

Nga të dhënat e datës 3 dhjetor, kemi rreth 4,800 nxënës të prekur nga tërmeti, pra kanë shtëpi të dëmtuar apo të pabanueshme, dhe janë rreth 650 mësues në një situatë të ngjashme.

Rreth 450 nxënës që janë të prekur nga tërmeti tashmë janë sistemuar tek të afërmit nëpër bashki të tjera dhe kanë filluar mësimin normalisht më datë 2 dhjetor.

Unë besoj që ky numër do të rritet edhe në ditët në vijim, ku nxënës që vijnë nga zonat më të prekura nga tërmeti do të sistemohen dhe do të fillojnë mësimin normalisht në shkollat pritëse.

Shkolla kanë qenë shumë fleksibile dhe kanë pranuar të gjithë nxënësit që kanë ardhur nga zonat e prekura.

Siç e dini, në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk janë pjesë e zonës ku kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, mësimi ka rifilluar normalisht me 2 dhjetor.

Ndërsa për tri qarqet që kemi pezulluar mësimin, nga nesër do të fillojë pjesërisht në këto Bashki:

 

 

QARKU LEZHË

 

Mësimi fillon normalisht në të gjitha shkollat e Bashkisë Mirditë, nesër më 5 dhjetor.

Mësimi fillon normalisht në Bashkinë Lezhë, nesër me 5 dhjetor. Është një shkollë e dëmtuar në Lezhë, shkolla e Shënkollit. Kemi marrë të gjitha masat për zhvendosjen e nxënësve dhe qysh nesër ato do të jenë të zhvendosur në shkollat pritëse.

Bashkia Kurbin ka një numër më të madh të shkollave të dëmtuara, ndaj mësimi në Bashkinë Kurbin fillon me datë 9 dhjetor. Do t’i japim pak më shumë kohë bashkisë të bëjë riparimet e nevojshme dhe të mund të fillojë mësimin normalisht me datë 9 Dhjetor.

 

QARKU TIRANË

 

Bashkia Rrogozhinë ka raportuar 2 shkolla të vogla me probleme, nxënësit e së cilave janë sistemuar në shkollat pritëse. Mësimi në Bashkinë Rrogozhinë fillon nesër me datë 5 Dhjetor.

Bashkia Kamëz ka një shkollë të raportuar të dëmtuar – shkolla “Sulejman Elezi” me 170 nxënës.  Transferohet në një zonë urbane, në shkollën e afërt “Azem Hajdari” në turnin e dytë dhe nuk ka nevojë për transport sepse janë marrë të gjitha masat që nxënësit të transferohen pasdite. Kështu që edhe në Bashkinë Kamëz, mësimi rifillon nesër me datë 5 Dhjetor.

 

Bashkia Kavajë ka dy shkolla të dëmtuara, të cilave iu është siguruar transporti. Përveç kësaj, mësimi fillon normalisht me datë 5 Dhjetor – duke përfshirë edhe këto 2 shkolla të cilat e dinë vendodhjen e shkollave pritëse dhe transporti është siguruar.

 

 

Bashkia Vorë ka një shkollë të dëmtuar seriozisht. Është shkolla në Marikaj, nxënësit e së cilës do të transferohen në Marqinet. Jam siguruar se plani i transferimit është në rregull, se transporti është siguruar për të gjithë nxënësit – kam qenë edhe vetë atje – por duke marrë parasysh që Bashkia Vorë ka disa shkolla të tjera që kanë dëmtime mesatare por që kanë më shumë nevojë për riparime, Bashkia Vorë do të rifillojë mësimin me 9 dhjetor.

 

Bashkia Tiranë, përveç fshatit Pezë, që shkolla ka dalë komplet jashtë funksionit – në fakt janë disa shkolla atje që kanë dalë jashtë funksionit – nuk ka shkolla të tjera që kanë dëme për t’i nxjerrë komplet jashtë funksionit, por ka mjaftueshëm shkolla me dëme mesatare që nuk mund të rihapen nesër. Kështu që në Bashkinë Tiranë, mësimi rifillon me datë 9 dhjetor.

Kam një njoftim të posaçëm për kopshtet dhe shkollat private. Të hënën kam nxjerrë urdhër që kopshtet dhe shkollat private duhet të marrin një konfirmim nga Instituti i Ndërtimit para se të rihapen.

Na u duk që është më me vend të kemi edhe vlerësimin e shkollave private nga instituti i cili ka bërë vlerësimet e të gjitha shkollave të tjera, që të jemi me të vërtetë të sigurtë që edhe nxënësit e shkollave private mund të kthehen në objektet e shkollave ku mbajnë mësim.

Për të gjitha shkollat publike që rrezikojnë të mos hapen as më 9 dhjetor, ne kemi plan të detajuar të zhvendosjes së nxënësve në shkolla pritëse – pa e dëmtuar procesin normal mësimor.  Dhe në zonat rurale me distanca më të mëdha mes shkollës së dëmtuar dhe asaj pritëse, kemi siguruar transport. Kemi ndarë buxhetin, kështu që të gjitha bashkitë që do na ndihmojnë me transportimin e nxënësve nga shkolla e dëmtuar në atë pritëse do të rimbursohen nga buxheti.

 

Për të gjitha shkollat private që mund të dalin me probleme me godinat, pronarët janë të obliguar që në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) të depozitojnë planet e zhvendosjes së nxënësve dhe do ta monitorojmë me shumë kujdes.

 

Siç e dini, mësuesit e të gjitha shkollave publike kanë dalë në punë të hënën më datë 2 dhjetor dhe kanë filluar zbatimin e udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për emergjencat.

Secili mësues sot që flasim ka planin e vet të klasës për mbrojtjen fillestare të nxënësve në rast lëkundjesh, si dhe daljeve emergjente që koordinohet në nivel shkolle që të sigurohet një dalje graduale dhe me radhë në rast se ka nevojë të bëhet një gjë e tillë.

Këto masa i kemi ndërmarrë jo sepse priten lëkundje të tjera në të ardhmen, por që të sigurojmë nxënësit dhe prindërit se në rast të çfarëdo emergjence, shkollat janë gati t’i përballojnë ato pa krijuar panic – pra duke menaxhuar të gjithë stresin dhe shqetësimin që mund ta kenë nxënësit.

 

Shërbimi psiko-social po punon me 3 udhëzime për adresimin e shqetësimeve të nxënësve nga tërmeti dhe po bashkëpunon edhe me Fakultetet e Shkencave Sociale në thellimin e njohurive të tyre dhe në zgjerimin e sa më shumë të këtyre njohurive edhe tek psikologët e tjerë që ndoshta nuk janë pjesë e shërbimit psiko-social, por janë ofruar vullnetarisht dhe ndihmojnë me nxënësit – si për ata në shkolla, por edhe ata që janë sistemuar nëpër shtëpi të përkohshme pritëse.

 

Përgjegjës për Koordinimin e gjithë shërbimit Psiko-Social është drejtuesi i ASCAP, Gerti Janaqi, kështu që çfarëdo pyetje që mund të kenë shikuesit tani që ka të bëjë me shërbimin psiko-social, mund të drejtohen atje. Arsyeja pse po e drejtoj si çështje të veçantë është sepse janë paraqitur shumë vullnetarë, psikologë të rinj që duan të kontribuojnë dhe duam t’i orientojmë atje që të koordinohet e gjithë puna bashkërisht.

 

Dhe si përfundim: në hotelet ku janë strehuar qytetarët, kemi filluar procesin e themelimit të shkollave të përkohshme. Mënyra se si do të funksionojë kjo – është që nëse kemi një grup hotelesh ku kemi një numër më të madh të qytetarëve të strehuar – në një nga ato që ofron kushtet më të mira, do të themelohet një shkollë e përkohshme. Puna ka filluar tani, por këto shkolla do të fillojnë të japin mësim me datë 9 dhjetor.

 

Dua të nënvizoj edhe njëherë që Dita e Rinisë, 8 Dhjetori, e cila është një festë kombëtare, do të festohet të dielën (me 8 Dhjetor) nga ata që duan ta festojnë dhe nuk do bëhet pushim të hënën më datë 9 dhjetor siç do të ishte bërë po të ishim në kushte të zakonshme – ngaqë kemi humbur shumë orë mësimi dhe nuk mund ta marrim edhe një ditë tjetër shtesë pushimi.

Në vijim do t’ju njoftojmë për shkurtime të tjera të pushimeve që do i merrnim zakonisht në mënyrë që ta rikuperojmë kohën e humbur të mësimit.

 

Edhe një herë dua të nënvizoj njoftimin tonë kryesor:

Qarku Durrës, Bashkia Kurbin, Bashkia Vorë dhe Bashkia Tiranë fillon mësimin më datë 9 dhjetor (të hënën).

Të gjitha bashkitë e tjera fillojnë mësimin nesër me datë 5 dhjetor.