Ministria e Arsimit dhe Sportit

Në mbështetje të nenit 47 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe të Vendimit të Këshillit Ministrave Nr. 107, datë 10.02.2010 “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen  dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit arsimor parauniversitar”, i ndryshuar,  Ministria e Arsimit dhe Sportit shpall publikisht kërkesën për tekste të botuesve të huaj për gjuhën frënge për klasat 11 dhe 12.

Tekstet e kërkuara duhet të kenë detyrimisht përputhje me programin përkatës në fuqi të gjuhës frënge, me kurrikulën bërthamë dhe me zgjedhje të detyruar të gjimnazit, për klasën e 11-të dhe të 12-të. Libri i nxënësit duhet të jetë i shoqëruar detyrimisht me fletoren përkatëse të punës, njësi e ndarë fizikisht nga libri i nxënësit ose e përfshirë si pjesë e dallueshme në librin e nxënësit.

Kërkesat do të pranohen vetëm nëpërmjet distributorëve të autorizuar prej botuesve. Distributori duhet të jetë i njohur ligjërisht për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve të miratuara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në datën 11 gusht 2014, nga ora 12.00 deri 16.00, në adresën: Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, Sektori i Kurrikulës, Cilësisë dhe Koordinimit, Rruga e Durrësit nr. 23,  Tiranë (personi i kontaktit z. Piro Milo), distributori duhet të paraqesë këto dokumente:

  1. 3 (tri) kopje të librit të nxënësit për të cilin kërkohet miratimi (fletorja e punës, njësi e ndarë fizikisht nga libri i nxënësit ose e përfshirë si pjesë e dallueshme në librin e nxënësit).
  2. Ekstraktin historik të QKR-së për regjistrimin si person juridik me të drejtë ushtrimi aktiviteti si distributor si dhe NIPT-in e subjektit.
  3. Vërtetim nga gjykata që distributori nuk është në proces gjyqësor.
  4. Vërtetim nga Drejtoria e Tatimeve dhe e Taksave për shlyerjen e detyrimeve përkatëse (jo më të vjetra se 3 muaj nga data e lëshimit).
  5. Vërtetim nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit që subjekti nuk ka detyrime financiare karshi të tretëve dhe që distributori që përfaqëson nuk është në proces falimentimi (jo më të vjetra se 3 muaj nga data e lëshimit).
  6. Delegimin zyrtar të së drejtës për përfaqësim distributorit, lëshuar nga shtëpia botuese e huaj, e regjistruar në regjistrat përkatës profesionalë ose tregtarë të shtetit në të cilin është themeluar botuesi, duke vërtetuar personalitetin ligjor të botuesit.
  7. Deklaratat për çmimin e shitjes së tekstit të nxënësit dhe të fletores së punës, të shënuara me shifra dhe me shkrim, të paraqitura të ndara, në zarfe të mbyllura.

Të gjitha dokumentet duhet të jenë në gjuhën shqipe, ose të përkthyera në shqip dhe të noterizuara. Dokumentet, në asnjë rast, nuk i kthehen dorëzuesit.