Ministria e Arsimit dhe Sportit

Është një projektligj ku janë pasqyruar sygjerimet e vyera të ardhura nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Departamenti i Administratës Publike. Është një projektligj që orienton nevojat reale që ka sistemi ynë arsimor me kah cilësinë, sigurisht referuar edhe reformës kurrikulare, po ashtu edhe procesit të administrimit të sistemit arsimor në kushtet e reformës territoriale. Një draftim i përgatitur nga grupi i punës pas një konsultimi të gjerë jo vetëm me institucionet e varësisë së Ministrisë së Arsimit, por po ashtu edhe me organizata partnere si dhe partnerë social që nga muaji Dhjetor i vitit të shkuar. Unë do të ndaja me ju duke falenderuar paraprakisht të gjithë Komisionin e Edukimit dhe Medias që ka bërë një punë të shkëlqyer përmes analizave të shëndetshme, këshillave po ashtu të shëndetshme dhe një monitorim të gjithë punës tonë në këto muaj. Do t‘i referohesha vetëm risisë që ligji sjellë duke vënë theksin edhe njëherë, që janë ndryshime që përkojnë me statusin aktual të reformës në sistemin tonë arsimor, e përsëris me kah cilësinë. Do të referoja gjashtë risitë që ligji sjellë.

Qeveria shqiptare nuk e lë më një çështje vullneti, por e vendos në ligj nevojën për t’u larguar një orë e më parë nga drejtuesit e paaftë, të zgjedhur pa meritë për shkak të ndërhyrjeve politike apo edhe shkaqeve të korrupsionit. Përmes certifikimit të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare krijohet shkolla e drejtorëve e cila do të mundësojë: zhvillimin profesional të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare publik ose privat, nëpërmjet administrimit të procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitore për pajisjen me certifikatë, procesit të trajnimit të vazhdueshëm dhe të specializuar, procesit të provimit dhe certifikimit për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitar. Shkolla e drejtorëve do të luajë një rol kyç në hartimin e politikave dhe zhvillimin e studimeve në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, për të gjitha fazat që ndikojnë në cilësinë e drejtimit të institucionit arsimor parauniversitar, si në sistemin e formimit dhe certifikimit të drejtuesve, sistemin e përzierës dhe punësimit të tyre, sistemin e zhvillimit profesional të vazhdueshëm dhe sistemin vlerësimit të performancës. Modeli i shkollës drejtorëve është bazuar mbi praktikat dhe modelet më të suksesshme në disa vende të botës, të kontekstualizuara për kontekstin shqiptar. Statusi dhe financimi i shkollës së drejtorëve, ky institucion do të krijohet si person juridik më vete dhe do të gëzojë pavarësi në vendimmarrje, administrative, financiare dhe teknike në mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit. Shkolla e drejtorëve do të drejtohet nga një bord drejtues, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, nga përfaqësues të Fondit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, si dhe partnerë të tjerë të fushës së arsimit. Për më tepër pranë shkollës së drejtorëve krijohet edhe bordi këshillimor si një organ konsultativ i përbërë nga pale të interesuara të fushës. Ky model është zgjedhur për të siguruar cilësinë e shërbimeve dhe për të mënjanuar çdo ndikim politik në punësimin  dhe ushtrimin e detyrave të drejtorëve të shkollës. Shkolla e drejtorëve do të financohet me fondet e Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, fonde të cilat do të administrohen nga shkolla e drejtorëve. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që pas periudhës së investimit nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, shkolla e drejtorëve të shndërrohet në një institucion të qëndrueshëm dhe të vetëfinancuar. Dua të ndaj edhe këtu në këtë foltore të rëndësishme, diçka që lidhet me një shqetësim adresuar shkollës drejtorëve. E përsëris, kjo shkollë nuk do të ofrojë program arsimor për formimin fillestar të drejtuesve të institucioneve arsimore, i cili bie ndesh me tagerin e dhënë universiteteve, sipas ligjit arsimit të lartë, por do të mundësoj zhvillim profesional, aplikativ i cili do të ndihmojë në përmirësimin e ushtrimit me cilësi të detyrave praktike të drejtuesve të institucioneve arsimore në Shqipëri. Ky institucion nuk konkurron programe të ofruara nga universitetet, përkundrazi do të bashkëpunojë me universitetet dhe ekspertët më të mirë në Shqipëri në ofrimin e moduleve të trajnimit. Përveç akreditimit në Shqipëri, shkolla e drejtorëve do të certifikohet nga organizatat dhe organizma certifikuese sipas standardeve ndërkombëtare të cilësisë. Organizimi i programit zhvillimit profesional të drejtuesve, kriteret e përzgjedhjes së trajnerëve dhe detyrat e tyre, kushtet dhe kriteret e pranimit, vlerësimi pjesëmarrësve, certifikimi dhe detaje të tjera të funksionimit të shkollës drejtorëve, do të përcaktohet me akte nënligjore dhe në rregulloren e shkollës drejtorëve. Ministria e Arsimit do të miratojë një plan të detajuar pune, i cili do të jetë edhe publik për trajnimin dhe certifikimin e drejtorëve dhe nëndrejtorëve aktual, krahas trajnimit pjesëmarrësve të tjerë që mund të aplikojnë për të marrë pjesë në këtë program. Risia e dytë, e cila kërkon votën e të gjithë deputetëve, pra do të ishte mirë që të ishte një ligj që kalon me konsensus, ka të bëjë me atë që është reforma të cilën e ndërmarrim në mësuesi. Portali “Mësues për Shqipërinë” është risia e dytë e këtij projektligji, pasi që nga viti 2014 portali “Mësues për Shqipërinë” si një instrument i rëndësishëm për rekrutimin e mësuesve në punë rezultoi një nismë e suksesshme dhe janë sot 4300 mësues, por edhe dëshmi sesi përmes meritës dhe transparencës, një luftë e hapur me ndërhyrjet e politikës dhe korrupsionit, drejtë shkollave kanë shkuar mësuesit më të mirë. Portali “Mësues për Shqipërinë” tashmë adresohet në ligj, nuk do të jetë vetëm një mekanizëm që orientohej e bazohej në udhëzim ministri, por do të jetë një autoritet që përcaktohet përmes ligjit, një platformë ku kandidatët për mësues në sistemin e arsimit parauniversitar regjistrohen për të marrë pjesë në konkurrim për një pozicion të lirë pune, platformë e cila realizon renditjen e punëkërkuesve sipas profileve të caktuara. Është për t’u përmendur se ky proces ndryshe nga çfarë është realizuar më parë, është i gjithi online, po ashtu këtë vit testimi i mësuesve punëkërkues u bë me një test dixhital duke realizuar në kohë reale përgjigjen e testit, po ashtu edhe një transparencë maksimale. Nuk do të ketë më mësues që kanë kontakte me persona në drejtoritë apo zyrat arsimore, sepse do të jetë një proces i tëri transparent dhe online. Riorganizimi i funksioneve kryesore te ministrisë dhe institucioneve të varësisë është risia e tretë që sjellë ky ligj.

Këshilli Kombëtar i Prindërve është risia e katërt që sjell ky ligj, është një këshillë me një strukturë ligjore që do të mundësojë fuqizimin e partneritetit me përfshirje të qëndrueshme të prindërve në vendimmarrjet e institucionit të sistemit arsimor parauniversitar, këshill që do të përfaqësojë interesat e prindërve në nivel qendror dhe që do të jetë mekanizmi kryesor i komunikimit, i këshillimit dhe i delegimit të gjithë zërit të prindërve që vjen nga çdo shkollë e vendit. Këshilli identifikon problematika, do t’i shtrojë ato pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të përmirësuar cilësinë e arsimit parauniversitar, ai po ashtu do të jetë një instrument shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me këshillat rajonal të prindërve, njësitë arsimore vendore, shoqatat e prindërve etj.

Financimi i shkollave nga donacionet për llogari të vetë shkollës është risia e pestë që sjellë ky ligj. Për vite e vite që në kohën kur edhe unë vetë kam qenë mësuese, ne kemi pasur një problematik dhe një kërkesë të vazhdueshme për të mundësuar që donacionet që vinin nga shkolla, nga ish-nxënës, nga donatorë, nga prindër, nga bizneset, nga komiteti mund t’i mbeteshin shkollës dhe t’i adresoheshin vetëm problemeve që lidheshin me cilësinë, që lidheshin me zhvillimin e gjithë sistemit brenda shkollës. Deri më sot e pa zgjidhur, ky ligj i jep përgjigje konkrete kësaj kërkese të vazhdueshme duke krijuar mundësi për institucionet arsimore për vijimin dhe vetëadministrimin e të ardhurave që këto institucione krijojnë përmes të tretëve. Përdorimi i të ardhurave të institucioneve arsimore do të jetë vetëm një mbështetje, vetëm në mbështetje të realizimit cilësor të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Propozimet nga biznesi, nga organizata jo qeveritare, donatorë të tjerë vendas e të huaj, qytetarë, prindër, ish nxënës të institucionit arsimor, kanë kërkuar që kontributet financiare që i dhurojnë institucionit arsimor sipas ligjit nr. 78/92 për sponsorizimet i ndryshuar, të arkëtohen dhe përdoren 100% për nevojat e institucionit arsimor, të ardhur e papërdorur në fund të vitit, po ashtu të trashëgohen në vitin pasardhës. Këto të ardhura të mos përfshihen në buxhetin e shtetit, sistemin e thesarit, por të përdoren vetëm me synimin të plotësimit të kushteve të mësimdhënies në institucionin arsimor. Ndaj në këtë rast, përmes ligjit mundësohet një rregull i veçantë, një rregull i cili nuk vjen në kundërshtim me ligjin nr. 99/36 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Vlerësimi i nxënësve dhe vlerësimi i arritjeve është risia e gjashtë, kemi një sistem matjeje të shtuar përmes ndryshimeve që propozojnë në këtë ligj, duke punësuar edhe pas përfundimit të ciklit fillor, një matje kombëtare të cilësisë të arritjeve të nxënësve. Ndryshe nga çfarë ishte më sot ku nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, ne nuk kishim një matje të standardizuar në nivel kombëtar të arritjeve të nxënësve. Profesioni i mësuesit përmes dispozitave që propozohen në këtë ligj, do të krijohet mundësia për konsiderimin dhe përfshirjen e të gjithë burimeve njerëzore të cilët nuk kanë titullin mësues, por disponojnë diploma universitare të njëjta apo të përafërta me fusha të lëndëve që zbatohen në kurrikulat shkollore të sistemit parauniversitar. Kjo do të mundësonte plotësimin e nevojave të caktuara të institucioneve shkollore, kandidatët për mësues të cilët nuk kanë titull mësues por kanë formimin universitar në fusha të përafërta do të mundësojnë përmes institucioneve të arsimit të lartë dhe marrjen e krediteve të caktuara të përcaktuara edhe për sa i përket dijes dhe shprehive të tyre në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Në çdo rast kandidatët për ushtrimin e profesionit të mësuesisë, të çdo kategorie, do të vijojnë të kenë detyrim dhënien e provimit të shtetit, pra marrjen e licencës dhe pastaj sigurisht për t’u punësuar, edhe aplikimin në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Bëjmë edhe një zgjidhje të një problematike që ka qenë evidente në këto vite, për mësuesit e ish instituteve të larta pedagogjike, për të cilët, në këtë ligj ne vendosim që diploma e përfituar të njihet si arsim i lartë tetë semestra për efekt page. Po ashtu do të doja të referoja dhe një moment shumë të rëndësishëm që i ka dhënë fund dhe do t’i jap fund problematikave të shfaqura procesit të decentralizimit dhe pasi pushtetit vendor ne i kaluam shërbimin e arsimit parashkollor, pra kopshtet se çerdhet i kishin. Patjetër, do të mbetet në autoritetin e kryetarit të bashkisë emërimi dhe shkarkimi i punonjësve arsimor, dhe këtu e kam fjalën për edukatorët por edhe për drejtuesit e kopshteve, por me detyrimin ligjor që përzgjedhja e tyre të ketë të njëjtat kushte si në tërë sistemin parauniversitar, që do të thotë portali “Mësues për Shqipërinë” dhe procedurat e rekrutimit për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar.

Kemi edhe një riorganizim të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Në kuadër të riorganizimeve institucionale, heqjes së komunave, është bërë ndryshimi i nevojshëm në nenin 29 duke përfshirë si anëtar të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, përfaqësues të institucioneve që gjithashtu funksionojnë sipas kuadrit ligjor në fuqi dhe duke hequr ato institucione të cilat janë riorganizuar. Shtesa bëhet për të shtuar po ashtu edhe përfaqësues nga ministria përgjegjëse për diasporën, pasi arsimimi në kulturën dhe gjuhën shqiptare për fëmijët e shqiptarëve jashtë atdheut dhe problemet që ato mund të kenë janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar punën tonë. Ndaj një përfaqësues e ministrisë përkatëse do të sjelli një vlerë të shtuar në përfaqësimin e Këshillit Kombëtar. Duke falenderuar edhe njëherë të gjithë deputetët që janë përfshirë në procesin e diskutimeve të këtij projektligji, do ju ftoja të votonim këtë projektligj pasi jam e bindur që shëndosh të gjithë objektivat dhe programet qeverisës për të pasur një reformë me kah cilësinë në gjithë sistemin tonë arsimor, duke mundësuar edhe njëherë largimin e politikës dhe korrupsionit në formimin fillestar, në kualifikim, por dhe në rekrutimin e mësuesve ashtu sikurse edhe atë, që patjetër duhet riadresuar një orë e më parë, çështja e vendosjes në krye të shkollave person me integritet, me aftësi profesionale të përzgjedhur në kushtet e meritës dhe transparencës.

 

Faleminderit!