Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka reaguar pas sugjerimit më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për të zhvilluar orë konsultimi dhe provime në auditorët e universiteteve në prag të mbylljes së këtij viti akademik.

“Më në fund, me përmirësimin e situatës dhe vaksinimin e stafeve universitare, Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerësoi pozitivisht kërkesën tonë për t’ju dhënë mundësinë për të zhvilluar orë konsultimi dhe provime në auditorët e universiteteve në prag të mbylljes së këtij viti akademik”, shprehet Ministrja Kushi dhe u drejtohet të gjithë studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të universiteteve:

“Së pari dua t’ju falënderoj të gjithëve për punën, energjinë dhe durimin e treguar gjatë gjithë këtij viti akademik në përshtatje me normalitetin e ri të shkaktuar nga pandemia. I kemi vlerësuar dhe mirëkuptuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesat tuaja të drejta për hapjen e auditorëve. Ka qenë një sakrificë e jashtëzakonshme për të gjithë së bashku që procesi mësimor në të gjithë elementet e tij të zhvillohej totalisht online, por besoj që ia kemi dalë të gjithë që të bëjmë më të mirën e mundshme për të vazhduar përpara”.

Ministrja Kushi nënvizon gjithashtu se përgjegjësia jonë e përbashkët është të punojmë intensivisht për të garantuar një proces sa më të rregullt, ku natyrisht prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit:

“Le ta përdorim maksimalisht këtë periudhë për të komunikuar e për t’i mbështetur sa më shumë studentët me qëllim finalizimin me sukses të këtij viti akademik. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të jetë gjithmonë në krahun tuaj për t’ju mbështetur përballë çdo vështirësie dhe nevoje të mundshme. Kam shumë besim tek ju dhe jam e sigurt që do t’ja dalim!” – shprehet ajo.

 

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/264587098690065/