Ministria e Arsimit dhe Sportit

Të dashur studentë, marr shkas nga nevoja e vazhdueshme për më shumë informacion në lidhje me vendimet e Këshillit të Ministrave që prekin tarifat dhe bursat. Ne kemi mundësuar që përmes portalit “shqipëriaqëduam.al” të kemi një rubrikë ku do të kthejmë përgjigje pyetjeve tuaja që mund të keni për të sqaruar sa më shumë mënyrën se si zbatohen këto VKM, që prekin direkt çështjet që kanë të bëjnë me tarifat dhe bursat. Është  rubrika “jam student” dhe “kam një pyetje”, në momentin që e hapni “shqipëriaqëduam.al” kjo del si “popup” dhe ju mund të vendosni pyetjen aty. Do të ketë persona të dedikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të cilët do të kthejnë përgjigje në kohën sa më të shpejtë që është e mundur, mundësisht edhe live. Përveç portalit edhe te Facebook-u i Ministrisë Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të kemi mundësinë që të kthejmë përgjigje edhe aty live. Do të bëjmë një njoftim që të dimë sa më mirë se si do të jetë komunikimi midis Ministrisë së Arsimit dhe studentëve në mënyrë që të kthejë përgjigje tek ju sa më shpejtë të jetë e mundur. Deri sot, në fakt dje dhe sot, personat nga Ministria e Arsimit ndodhen edhe në sekretari, të cilët do të kthejnë përgjigje aty ku ju keni mundësi të shkoni dhe të bëni pyetjet tuaja. Sot është dita e fundit që ata janë në zyrë të fakulteteve të ndryshme dhe nga sot pasdite, ju këta persona i keni në celular, kështu që mund ti çoni pyetje direkt aty. Dua të nënvizoj që nëpër fakultetet ku ka protestë, ku një grup studentësh janë duke penguar mësimin, ka pasur raste ku janë penguar edhe sekretaritë që të funksionojnë apo janë penguar njerëz që të shkojnë deri tek zyrat e sekretarisë. Aty për fat të keq ka qenë e pamundur që të kemi personat nga Ministria e Arsimit t’ju asistojnë juve, kështu që është e rëndësishme dhe ju bëj ftesë universiteteve por edhe studentëve që janë nëpër këto fakultete duke protestuar, që të mundësojnë punën e sekretarive dhe të mundësojnë sot pjesëmarrjen e personave nga Ministria e Arsimit që të mund t’ju asistojnë juve me pyetjet e çfarëdollojshme që ju keni. Në rastet kur sekretaritë nuk funksionojnë, ne nuk po e marrim informacionin e duhur për listat e studentëve që janë përfitues të bursave, që janë përfitues të përjashtimeve të ndryshme nga tarifat dhe kjo pastaj vonon procesin e marrjes së bursave dhe përjashtimit të tarifave nga ana juaj. Pra sekretaritë që janë të bllokuara po e pengojnë procesin e mirëfilltë  për të zgjidhur të gjitha çështjet që kanë mbetur pa u zgjidhur në mënyrë që të përfundojë zbatimi i VKM-ve në mënyrë të prekshme për të gjithë ju. Kështu që edhe njëherë ju bëj ftesë studentëve që bllokojnë sekretaritë, të mundësojnë funksionimin e tyre sepse është shumë e rëndësishme që të zbatojmë pjesë të VKM-ve që kanë të bëjnë me tarifat. Për fund dua të nënvizoj edhe njëherë, mos harroni portalin “shqipëriaqëduam.al” aty mund të dërgoni pyetjet tuaja, do ju kthejmë përgjigje sa më shpejtë të jetë e mundur.
Faleminderit