Ministria e Arsimit dhe Sportit

Nëpërmjet prezantimit të një punonjëseje pranë MASR, e punësuar me kontratë 1-vjeçare pune nga “Thirrja V” e Programit Kombëtar i Praktikave të Punës, Ministrja Evis Kushi ka nënvizuar rëndësinë e këtij programi ambicioz që u hap rrugë të rinjve nga mosha 21-26 vjeç për t’u integruar në administratën publike.

Në postimin e saj, Ministrja Kushi cilëson se “Vetëm në ‘Thirrjen V’ janë 210 praktikantë të punësuar, ndërsa përgjatë 5 thirrjeve të këtij programi ambicioz ndër vite janë zhvilluar afro 3 mijë praktika 3-mujore dhe janë punësuar rreth 1 mijë praktikantë me kontrata 1-vjeçare pune”.

Ndërkohë, ajo prezanton edhe Donika Dogjanin, të renë e punësuar në MASR:

“Pas zhvillimit të praktikës 3-mujore dhe në sajë të performancës shumë të mirë, prej gati 4 muajsh Donika i është bashkuar ekipit të MASR me kontratë 1-vjeçare pune falë “Thirrjes V” të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Ajo shërben pranë Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë në MASR dhe më vjen shumë mirë që motoja e saj e përditshme është të reflektojë vlera në çdo gjë që bën”.

Pjesë integrale që është në vëmendje kryesore të “Paktit për Universitetin” është edhe “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës”. Tashmë është kthyer në një mundësi të mirë për të rinjtë e moshës 21-26 vjeç për integrimin e tyre në administratën qendrore, administratën vendore, institucionet e pavarura apo shoqëri të ndryshme tregtare.

 

https://www.facebook.com/kushievis/posts/223298286152280