Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë takimit të organizuar në Pogradec me kryetarët e bashkive të qarkut Kukës dhe Lezhë, kërkoi bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve arsimore dhe bashkive.

Gjatë fjalës së saj Znj. Kushi u fokusua tek nevoja për cilësi dhe standard të lartë në ndërtimin ose rindërtimit të godinave shkollore, përgatitja logjistike për fillimin e vitit të ri shkollor nga ana e bashkive, si dhe bashkëpunimi më i mirë me Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar në lidhje me sigurimin e transportit për nxënësit që ndodhen në zonat e largëta.

Gjithashtu ajo kërkoi mbështetjen e bashkive për një vëmendje të shtuar ndaj programit “Shkollat Qendër Komunitare” dhe “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, ku kërkohet që shkollat të jenë në dispozicion të tyre edhe pas orarit mësimor në mënyrë që atje të zhvillohen edhe aktivitete sportive, kulturore dhe sociale.

Znj. Kushi një kërkesë të veçantë e kishte edhe për ngrohjen në shkolla. Ajo kërkoi që në kohën kur parashikohet buxheti, një zë i veçantë duhet t’i kushtohet ngrohjes në shkolla.

Për sa i përket procesit të konsultimit publik për rishikimin dhe ndryshimet e mundshme të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ministrja lajmëroi se së shpejti është parashikuar një seancë konsultimi me kryetarët e bashkive për të marrë opinione dhe sugjerime.

Ndërkohë, për bashkitë e qyteteve që kanë universitete ministrja Kushi kërkoi bashkëpunim të ngushtë bashki-universitet për sa i përketë “Misionit të Tretë”, që njohuritë dhe rezultatet e kërkimit shkencor t’i përcjellin përtej hapësirave akademike, që do të thotë një bashkëpunim më i ngushtë me të gjitha institucionet, bizneset për të dhënë më shumë kontribut në zhvillimin ekonomik, social, kulturor të zonave.

 

FJALA E PLOTË E MINISTRES KUSHI:

 

Përshëndetje të gjithëve!

 

Në radhë të parë unë dua ta nis me një falënderim për të gjithë, kryetarët e bashkisë sepse të gjithë gamën e detyrave dhe përgjegjësive që kanë ndaj qytetarëve duket qartë që arsimin kanë vendosur në prioritetet e tyre. Unë i kam dëgjuar me vëmendje të gjitha prezantimet e deritanishme dhe pothuajse të gjithë kryetarët e bashkive në aksionet emergjente që kanë për muajt në vijim kanë vendosur ndërhyrjet që infrastrukturën arsimore.

 

Për dy vite 2020 dhe 2021-shi kanë qenë vite ku qeveria ka qenë e detyruar të ndërhyjë në mënyrë të veçantë në zonat e dëmtuara nga tërmeti ku janë rreth 170 shkolla, një pjesë e madhe kanë përfunduar, shumë pak prej tyre janë në proces dhe pritet të përfundojnë së shpejti por duke filluar nga ky vit, ne po i rikthehemi normalitetit dhe tashmë kemi një buxhet të dedikuar për infrastrukturën arsimore edhe në qarqet e tjera të vendit. Nga thirrja që kemi shpallur para pak javësh pothuajse të gjitha bashkitë kanë aplikuar me projekte vërtet cilësore ne tashmë kemi miratuar 25 objekte arsimore shkolla, kopshte, terrene sportive që do të fillojnë menjëherë nga procesi i ndërtimit apo i rindërtimit.

Dua të theksoj që cilësia tashmë duhet të jetë në nivele të larta. Nuk flasim më për rikonstuksione siç bëheshin më parë të një standardi të ulët, sepse edhe vetë procesi i rindërtimit tani i ka vënë në dukje që ne flasim për një tjetër nivel. Ne flasim për standarde bashkëkohore të institucioneve arsimore. Shkollat e reja janë më të mëdha, më të sigurta, më të bukura, kanë terrene sportive, palestra të brendshme sportive, të jashtme, laboratore, biblioteka kështu që është detyrim për ju meqenëse tashmë jeni në procedurat e prokurimit, të respektoni jo thjesht VK-në që përcakton atë minimumin e standardeve që ju duhet të aplikoni por duhet të jeni shumë ambiciozë që këto investime të reja të përputhen edhe me prioritetet tona arsimore.

Dua të përfitoj nga rasti për te theksuar disa çështje që ne duhet t’i kemi në fokus të bashkëpunimin tonë në muajt në vijim. Sapo kemi mbyllur vitin shkollor 2021-2022 dhe është emergjente ndërhyrja juaj për të bërë gati godinat arsimore për vitin e ardhshëm. Shtatori vjen shumë shpejt. Në datën 12 Shtator fillon viti i ri shkollorë dhe unë do t’ju lutesha që ta shfrytëzoni gjithë këtë muaj me meremetimet, riparimet dhe gjithë ato punë që ju çdo vit i bëni po që koha është shumë e shkurtër kur nxënësit dhe mësuesit të riktheheshin në shkolla, gjithçka të jetë gati.

 

Së dyti do të kërkoja më shumë bashkëpunim nga ju për sa i takon çështjes së klasave kolektive. Pavarësisht se gjatë këtyre viteve ne i kemi përgjysmuar numrin e nxënësve të mësojnë në klasa kolektive, nga 40.000 që gjetëm në 2013ën sot kemi më pak se 20.000 nxënës, ne nuk mund ta ulim më tej numrin e tyre nëse nuk kemi bashkëpunimin tuaj. Ne e kemi bërë analizën për të gjitha shkollat sidomos shkollat vartëse, shkollat që janë në zona periferike, në zona të largëta ku ne mund ti përqendrojmë nxënësit pra mund ti transferojmë ata drejt shkollave në qendrat e njësive administrative apo pse jo edhe në qytet në shumë raste, në mënyrë që ata të zhvillojnë mësimin me mësues të profilit në, shkolla më të mira ku të socializohen edhe me nxënësit e tjerë. Por shpesh ne hasim vështirësi për sa i takon transportit të nxënësve. Para disa muajsh ne e rritëm buxhetin e transportit të nxënësve konkretisht rimbursimin e biletës për operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit, por zyrat arsimore në shumë raste dështojnë në procedurat e tyre sepse nuk ka operatorë të interesuar për të shkuar në këto zona të larta për t’i marrë fëmijët dhe për t’i sjellë drejt shkollave. Shumë prej jush kanë dhënë kontribut, na kanë ndihmuar edhe për faktin që infrastruktura është drejt përmirësimit por zyrat arsimore nuk e zgjidhin dot të vetme këtë çështje nëse ju nuk jepni kontribut për operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit. E vlerësoj në shumë raste ndihma juaj, kontributi juaj kanë qenë i rëndësishëm por bashkëpunimi me zyrat arsimore duhet të jetë më i ngushtë në mënyrë që ne të mos lëmë asnjë zonë të thellë pa operatorë transporti. Ne tashmë kemi edhe programe të tjera siç është shkollat qendër komunitare ku nxitet pikërisht bashkëveprimi i shkollës me pushtetin lokal me institucionet dhe kryesisht me bashkinë. Edhe këtu kontributi juaj ka qenë i rëndësishëm, tashmë e kemi dyfishuar numrin e shkollave që janë përfshirë programin shkollat qendër komunitare. Ne tashmë kemi 470 shkolla në të gjithë vendin dhe përsëri akoma më të ngushtë.

 

Programi i ri që ne kemi aplikuar prej 3 vitesh është programi “bëjmë detyrat e shtëpisë”. Edhe prindërit na e kërkojnë shumë që shkollat të jenë në dispozicion të tyre edhe pas orarit mësimor në mënyrë që atje të zhvillojnë jo vetëm detyrat e shtëpisë por edhe aktivitete sportive, kulturore dhe sociale. Edhe këtu do të kërkoja bashkëpunim që mënyrë që infrastruktura shkollore të jetë sa më e përshtatshme sepse jo çdo shkollë e ka të mundur.

 

Këtu do të ndalesha pastaj tek ngrohja. E kemi shumë të nevojshme që ju qëkur parashikoni buxhetin të parashikoni një zë të veçantë për ngrohjen në shkolla. Madje ky të jetë një kriter kryesor për miratimin e buxhetit nga ministria e financave. E vlerësoj shumë që një pjesë e bashkive pas kërkesës sonë të vazhdueshme kanë kaluar nga ngrohja me gaz në alternativa të tjera për të qenë sa më e sigurt për nxënësit por natyrisht duhet të jeni shumë më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për të garantuar buxhetin për ngrohjen sidomos në ato zona që janë të thella ku ky buxhet duhet të jetë edhe më i lartë.

 

Ndërkohë dua të ndalem në një çështje që nuk e dëgjova nga asnjë prej kryetarëve të bashkive, përveç bashkisë së Korçës. E kam fjalën për ato bashki që kanë universitete në qytetet e tyre. Universitetet misionin e tyre të tretë përveç mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, e kanë që njohuritë e tyre dhe rezultatet e kërkimit shkencor t’i përcjellin përtej hapësirave akademike, që do të thotë një bashkëpunim më i ngushtë me të gjithë institucionet, bizneset për të dhënë më shumë kontribut në zhvillimin ekonomik, social, kulturor të zonave. Universitetet bëjnë kërkim shkencor por rezultatet e tij mbeten të izoluara brenda universiteteve dhe ju nuk i shfrytëzoni këto për projektet tuaja, për zhvillimin tuaj. Unë do të kërkoja që të ketë më shumë bashkëpunim, madje ju mund të jeni partnerë me universitetet në aplikime të ndryshme që ta bëjnë për projekte, jo vetëm projekte brenda vendit por edhe në programet e bashkimit Evropian. P.sh. Horizont Evropa është një program ku universitetet asnjëherë nuk aplikojnë të vetme po gjithmonë në bashkëpunim me institucione të tjera përfshirë dhe bashkitë. Më pëlqeu shumë ambicia e qytetit të Korçës për ta kthyer qytetin në një qendër për teknologjinë dhe inovacionin madje kemi biseduar edhe me drejtuesin politikë për ngritjen e një akademie atje për teknologjinë dhe inovacionin. Natyrisht janë tendenca të kohës dhe ju bashkë me universitet duhet t’i përgjigjeni tendencave, zhvillimit dhe nevojave të tregut të punës.

 

Ne jemi duke rishikuar ligjin e arsimit parauniversitar. Jemi në procesin e konsultimin publik kemi parashikuar edhe një seancë konsultimi me ju sepse ka shumë çështje për të cilat duhet të diskutojmë bashkërisht duke filluar që nga shkollat e mesme të bashkuara, ngritja e qendrave burimore, shkollat artistike, etj.

 

Ne në shtator në datat 9, 10 dhe 11 do të zhvillojmë një kongres, më i madhi për arsimin në Shqipëri, dhe do të doja që ju jo vetëm të merrni pjesë por edhe të jepni kontribut.