Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla dhe Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito morën pjesë në nisjen e projektit pilot të implementimit të tabletave në procesin mësimor në shkollën “Sami Frashëri”, ku u shpërndanë 35 tabletat e para për nxënësit. Ky projekt pilot është nisma e parë drejt finalizimit me sukses të implementimit të kësaj teknologjie në shkollat e mesme, nismë e qeverisë për një ndryshim rrënjësor të procesit arsimor. Me mbështetjen e donatoreve nxënësit dhe mësuesit angazhohen në një proces inovativ për krijimin e kurrikulave digjitale. “Si një ish-mësuese matematike gjimnazi, ndihem sot po aq krenare sa dhe ju, të dashur mësues, për forma të tilla bashkëkohore të zhvillimit të mësimit me përdorim të plotë të përparimit së teknologjisë.”, u shpreh znj. Lindita Nikolla.

 

 

 

Fjala e plotë e ministres Nikolla:

 

Është kënaqësi e veçantë të jem sot me ju, nxënës dhe mësues të gjimnazit  “Sami Frashëri”, që i ka dhënë cilësi arsimit jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë, përmes punës së palodhur e plot përkushtim të mësuesve në vite, por padyshim dhe talenteve të spikatura që kanë dalë nga kjo shkollë. Kënaqësi e veçantë është sot që ne startojmë projektin e Qeverisë për t”i dhënë çdo nxënësi dhe mësuesi në shkollat shqiptare mundësinë për të punuar me tableta. Jo më kot jemi në këtë gjimnaz, sepse nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle kanë qenë të parët që kanë përqafuar të renë që vjen përmes zhvillimit të teknologjisë.

Falë bashkëpunimit me partnerë të rëndësishëm të biznesit kemi mundësinë të fillojmë pilotimin sot në një klasë, por që do të shërbejë si dallëndyshe e parë, në mënyrë që në shtatorin e ardhshëm ne të kemi mundësi ta shtrijmë këtë në 110 shkolla kudo në vend. Falënderojmë Infosoft-in dhe Microsoft-in për mundësimin e tabletave, por edhe ndarjen e përvojave të tyre në fusha të ndryshme të mësimdhënies. Për këtë nismë, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të bashkëpunojë edhe me ekspertët e kurrikulës në universitetet tona, nën dirigjimin e vazhdueshëm të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, sepse duam që në muajt e ardhshëm ne të kuptojmë mirë jo vetëm eficencën në mësimdhënie dhe në nxënie të futjes së këtyre metodave të reja të përdorimit të teknologjisë, por, nga ana tjetër, të shikojmë nëpërmjet zbatimit të këtyre metodave edhe vështirësitë e para, në mënyrë që ne të mund t’u dalim përpara pengesave për t’i përmirësuar dhe gjetur ilaçin e shërimit dhe, gjatë futjes në tërë sistemin tonë arsimor parauniversitar, ne të mund të kemi rikuperuar dhe t’i kemi dhënë vetes dhe ekspertëve kohën e duhur. Sigurisht, së bashku ne do të mundësojmë edhe diçka të re, atë të komunikimit elektronik, ndaj dhe përdorimi i samifrasheri.edu.al do të ketë mundësinë që nga gjithë mësuesit dhe nxënësit jo vetëm të kësaj klase, ku ne filluam pilotimin e këtij projekti, të kenë mundësi të ndajnë informacion, të marrin informacion dhe të bëjnë sugjerimet e nevojshme për të përmirësuar këtë proces dhe për të bërë më pas të mundur shtrirjen në gjithë procesin arsimor.

Si një ish-mësuese matematike gjimnazi, ndihem sot po aq krenare sa dhe ju, të dashur mësues, për forma të tilla bashkëkohore të zhvillimit të mësimit me përdorim të plotë të përparimit së teknologjisë. Ndaj le të shfaqim në këtë moment të parë gjithë interesin dhe përkushtimin tonë, në mënyrë që ne të kemi realisht një klasë model që të na japë mundësinë të shohim nxënës të tjerë të kësaj shkolle dhe të shkollave të tjera të Tiranës se sa efiçent është përdorimi i këtyre metodave. Për aktivitetin e ditës së sotme duhen përgëzuar mësuesit e fizikës, që startojnë me këtë orë të hapur. Padyshim, është starti i një rruge të gjatë plot vështirësi dhe sfida, ndaj falënderoj posaçërisht miqtë tanë të Infosoft dhe Microsoft, që janë me ne sot, por edhe të tjerë që kanë shprehur vullnetin të ndajnë me ne përvoja dhe burime, sepse na mbushin me shpresa dhe energji që ne të jemi të suksesshëm. Nxënësit, mësuesit dhe prindërit kanë mbështetur programin tonë qeverisës të 100 ditëve të para. Ne  kemi gjetur përkrahjen dhe mbështetjen e duhur për këtë projekt si një risi që do të përmirësojë cilësinë e edukimit, por do të qaset drejt pritshmërive që nxënësit shqiptarë kanë për sa i përket zhvillimit të teknologjisë.

Nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm t’ju shpreh edhe njëherë kënaqësinë time që jam këtu sot me ju për të dëgjuar me shumë vëmendje ato çfarë ju do të na prezantoni. Por edhe me një lutje për ju, nxënësit e “Sami Frashërit”, mos hezitoni të më ftoni sa herë do të keni orë të tilla të hapura, sepse me shumë kërshëri do të bëhesha pjesë për të ndarë me ju atë që do të kishim dëshirë të ndodhte në të gjitha klasat e gjimnazeve të Shqipërisë.

Faleminderit dhe suksese!

{:}