Ministria e Arsimit dhe Sportit

Kolegët e mi që kanë qenë të përfshirë në procesin e menaxhimit të krizës nga dita e parë janë këtu që të përgjigjen të gjitha pyetjeve që do vijoni ju me diskutimin mëse të nevojshëm në komision.

Në total janë dëmtuar 273 objekte shkollore dhe universitare. Këtu nuk përfshihen objektet konviktore. Nëse i përfshijmë edhe konviktet janë 307. 39 objekte janë të arsimit parashkollor. Janë 143 objekte shkollore të arsimit bazë. 57 objekte shkollore të arsimit të mesëm. 34 objekte shkollore të arsimit të lartë dhe 34 godina të konvikteve.

Numri më i madh i objekteve shkollore apo arsimore të dëmtuara janë të koncentruara në Durrës, Tiranë, Vorë, Kurbin dhe Krujë, ku ka qenë pika kryesore e dëmtimeve të përgjithshme të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas shkallës së dëmit dhe ky vlerësim është bërë nga inxhinierë të Institutit të Ndërtimit dhe grupe të ndryshme të inxhinierëve që i janë bashkuar institutit të ndërtimit për të ndihmuar procesin e vlerësimit të dëmeve, janë 56 objekte arsimore që kanë dëmtime të rënda. Vlen të përmendet që gjatë këtyre dy muajve janë bërë vlerësime dhe kodifikim të vlerësimit, ku konsiderohet DS 4 dhe DS5 është niveli ose kodi që përshkruan dëmin më të rëndë. Janë 66 objekte arsimore që kanë dëmtime të pjesëshme. Kjo reflektohet në kodin DS2 dhe DS3 dhe 151 objekte arsimore që kanë dëmtime të lehta. Për dëmtimet e lehta, që ta kemi të qartë: janë plasaritje, apo dëmtime të tjera të suvave që nuk paraqesin asnjë rrezik, mirëpo duhen të riparohen para se të vijohet me mësim.

Vlera e dëmeve të shkaktuara është llogaritur të jetë 64 milionë Euro, ndërsa vlera e humbjeve të tjera si humbja e orëve të mësimit, trajnimet e ndryshme që janë dashur të bëhen me psikologë, me mësues, transporti për t’i transportuar nxënësit në shkollat pritëse, vlera e humbjeve është 9 milionë Euro.

Masat e marra nga ministria e arsimit, Sportit dhe rinisë siç e dini dhe mbani mend, mësimi ka rifilluar në 2 dhjetor në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk kanë qenë pjesë e zonës që kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Pra ajo çfarë kemi bërë është ngaqë tërmeti ra me datë 26 nëntor dhe data 28 dhe 29 ishin pushime kombëtare, ne e lidhëm 27 nëntorin, e shpallëm ditë pushimi dhe filluam mësimin normalisht me 2 dhjetor që ishte e hënë.

Pra për shumicën e shkollave në të gjithë territorin e Shqipërisë ishin vetëm dy ditë mësimi që u humbën dhe do të zëvendësohen në një moment të dytë.

Në tre qarqet e tjera në Lezhë, Durrës dhe Tiranë ku kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, mësimi ka filluar me datë 5 dhjetor në disa bashki ku shkollat kishin dëme më të vogla, Mirëditë, Lezhë, Rrogozhinë, Kavajë. Ndërsa me datë 9 dhjetor filloi mësimi në bashkitë Tiranë Durrës, Vorë dhe Kurbin. E shtymë deri me 9 dhjetor për shkak se kishim nevojë që të ishim të sigurt që shkollat që do të hapnim janë plotësisht të sigurta për nxënësit edhe në rast të ndonjë tërmeti të dytë të një magnitute të njëjtë.

Dua të nënvizoj edhe një herë që të gjitha orët e humbura do të zëvendësohen. Kemi praktika të mira që kemi aplikuar deri tani, ku të shtunave zëvendësohen orët e humbura për arsye të ndryshme të fatkeqësive natyrore apo edhe për arsye të tjera që mund të ndodhin gjatë vitit.

Menjëherë pas tërmetit MASR u mobilizua për të evidentuar dëmet e shkollave në terren. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me drejtorë të shkollave dhe drejtues të ZVA-ve, dhe që në orët e para të mëngjesit, menjëherë pasi ra tërmeti pata komunikim me ta, edhe jo formal, përmes rrjeteve sociale, për të marrë informacion fillimisht për shëndetin e tyre (mësuesve), por edhe gjendjen e shkollave, nëse ata kishin një informacion të tillë.

Por shumë shpejt mobilizuam edhe Institutin e Ndërtimit, inxhinierët e bashkive, si dhe një grup të inxhinierëve nga Kosova, të cilët punuan nën ombrellën e Institutit të Ndërtimit për ta bërë një vlerësim fillestar të gjendjes së shkollave, në mënyrë që të na japin një informacion nëse mund t’i hapim shkollat apo jo në një kohë të shkurtër.

Ajo çfarë ndodhi ishte që për shkak të pasgoditjeve që ishin të shumta menjëherë pas tërmetit ka patur shkolla që ndoshta me datë 26 dhe 27 nëntor nuk ishin identifikuar si shkolla me dëmtime të mëdha, por pastaj me datë 28 dhe 29 pësuan dëmtime më të mëdha. Kështu që na u desh gjithë ajo kohë deri në fundjavë që të kuptojmë se cilat janë shkollat që janë me të vërtetë të dëmtuara dhe cilat shkolla mund të rihapen.

Ne kemi bërë gjithashtu edhe një punë tjetër, e cila nuk është e zakonshme. Kemi bërë edhe inspektimin e shkollave private, ngaqë donim të siguroheshim që edhe shkollat private të cilat zakonisht marrin vetë masa për të siguruar dhe garantuar nxënësit e tyre, të jenë të sigurta për të gjithë nxënësit që i frekuentojnë ato.

Ne kishim të rëndësishme që të dinim se kushtet e mësimit janë në rregull dhe të siguronim nxënësit. Ndërsa për hapat e mëtutjeshëm si rindërtimi, ne si Ministri e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të luajmë rol mbështetës. Pra kishim rol parësor në javët e para dhe tani kemi rol mbështetës me të dhëna dhe me çfarëdo që u duhet edhe ministrisë së rindërtimit që po merret me planifikimin e rindërtimit edhe ministrisë së kulturës që po merret me planifikimin e projekteve për rindërtim edhe institutit të ndërtimit që po merret me analizën e thelluar të të gjitha dëmeve të shkaktuara nëpër shkolla, në mënyrë që të identifikojnë nëse shkolla duhet rikonstruktuar pjesërisht, nëse shkolla duhet rindërtuar nga e para, apo shkolla duhet thjesht përforcuar. Këtu po flasim për të gjitha shkollat që janë mbyllur dhe nuk janë në funksion.

Dua të theksoj se janë diku 21 mijë nxënës dhe 1300 mësues të 59 shkollave të dëmtuara që janë transferuar në shkolla pritëse. Pra po flasim për një numër shumë të madh të nxënësve dhe mësuesve dhe organizimi i transferimit nuk ishte i lehtë por u zhvillua me shpejtësi falë edhe të gjithë punës që bënë mësuesit, që ishin shumë mbështetës dhe të gatshëm që të ndihmonin pa u ankuar në  këtë fazë fillestare dhe tu ofronin nxënësve një mbështetje jo vetëm arsimore që duhet ta bëjnë, por edhe emocionale dhe psikologjike, sidomos në ato javët e para që ishin shumë të vështira.

Kemi ngritur 6 qendra të përkohshme mësimi për fëmijët që ishin strehuar nëpër hotele. Siç e dini shumë familje kanë humbur shtëpitë e tyre dhe ata përkohësisht u strehuan nëpër hotele përgjatë bregdetit dhe gradualisht morën edhe bonuset e qerave që të strehohen nëpër shtëpi me qira.

Përgjatë kohës që ishin në hotele ata kishin edhe shërbimin arsimor pranë hotelit të tyre, si kopshtin ashtu edhe shërbimin arsimor parauniversitar.

Për fëmijët e qendrave të përkohshme kemi siguruar edhe mjetet shkollore si librat, fletoret, çantat, etj. Për çka do që kanë patur nevojë që të vijojë mësimi normalisht.

Gjithashtu jemi munduar që hapësirat ku bëhet mësimi, ngaqë ishin salla konferencash të hoteleve, të transformohen në salla të ngrohta ku mund të mbahet mësimi. Kështu që janë bërë ndërhyrje edhe nga partnerët tanë zhvillimorë që të duket sa më i ngrohtë ambienti ku mbajnë mësim.

Gjithashtu në 3 qarqet e prekura nga tërmeti që në ditët e para në mënyrë vullnetare janë organizuar mbi 120 punonjës psiko-socialë që tu vijnë në ndihmë jo vetëm nxënësve, siç i kanë në përshkrim të punës, por edhe familjeve prej nga vijnë ata nxënës, në mënyrë që të ndihmojnë sado pak në përballimin e shqetësimeve emocionale dhe psikologjike që kishin njerëzit si pasojë e tërmetit.

Shumë shpejt, që në ditët e para kemi hartuar edhe një udhëzues, plan veprimi për shkollat në rast tërmeti. Secila shkollë ka patur një plan veprimi në rast të fatkeqësive natyrore. Ata e kanë patur të zbatuar këtë plan.

Ajo që vendosëm të bëjmë është që ta çojmë edhe një përforcim që është specifik për rastet e tërmetit. Morëm modelet italiane. Morëm një model nga SHBA-të që ishte specifikisht për shkolla.

Pra si mund të dalin nga shkolla në rast emergjence, në mënyrë që të mos lëndohen nga evakuimi emergjent. Udhëzuesi është printuar dhe vjen bashkë me një poster, i cili është i ilustruar në mënyrë që të mund të përcillen simbole të ndryshme për t’i orientuar nxënësit dhe mësuesit për daljet emergjente.

Gjatë javës kur nuk mbahej mësimi, ne kemi kërkuar që mësuesit të dalin në shkollë dhe të bëjnë një gjë që ishte e domosdoshme, dhe unë mendoj që po zbatohet shumë mirë në terren me sa kam parë gjatë vizitave në terren. Ata kanë bërë planin specifik të shkollës së tyre t daljeve emergjente.

Në rast të ndonjë lëkundjeje: çfarë bën mësuesi në klasë me nxënësit; cilat janë klasat që dalin të parat nga shkolla; si koordinohen dalja e nxënësve nga katet e ndryshme, nëse flasim për shkolla të mëdha me shumë kate, në mënyrë që nxënësit të mos lëndohen gjatë daljes.

Kjo ka funksionuar mirë, po shohim edhe nga komunikimet që kemi me drejtues shkolle dhe mësues, se po bëjnë simulime, në mënyrë që të matim kohën se sa nevojitet që të dalin nga shkolla në qoftë se merret një vendim se nxënësit e një shkolle duhet të përdorin daljet emergjente.

ASCAP së bashku me partnerët zhvillimorë kanë trajnuar 2500 mësues dhe 200 punonjës të shërbimit psiko-social që të merren me shqetësimet emocionale dhe pasojat psikologjike që kanë përjetuar nxënësit për shkak të tërmetit. Kjo ishte e rëndësishme në mënyrë që ata të mund të krijonin këtë ambientin e ngrohtë dhe mikpritës për nxënësit pasi ishin kthyer në shkollë.

Sot që flasim dhe për dy muaj resht është bërë një punë shumë e madhe në strategjinë e rimëkëmbjes. Pra përveçse kemi ndarë buxhet nga buxheti i shtetit, po bëhet edhe ngritje fondesh. Është edhe një konferencë e donatorëve që vjen së shpejti. Por është hartuar edhe një plan shumë rigoroz i rimëkëmbjes me ndërhyrje afatshkurta, që përfshin edhe këto ndërhyrjet që përmenda që kemi bërë deri tani. Janë ndërhyrjet afatmesme, që përfshin ato në infrastrukturën shkollore at ku duhet të ndërtohet nga e para, apo rindërtohet pjesërisht ndonjë shkollë e dëmtuar. Dhe plani afatgjatë që është i përqendruar më shumë në menaxhimin e situatave të rrezikshme për të ardhmen. Pra për forcimin e shkollave në mënyrë që në rast tërmetesh që mund të ndodhin në të ardhmen edhe në se janë të një magnitute më të lartë të mos shkaktojnë dëme.

Vlera totale e rikonstruksionit vlerësohet në masën 83 milionë Euro, ndërsa për rimëkëmbjen, trajnimet e mësuesve, transportin e nxënësve dhe gjithë procesin tjetër mbështetës, do të kushtojë 12 milionë euro. Kjo shtrihet në një periudhë kohore 5 vjeçare, ashtu siç e kemi ndarë edhe gjithë planin e rimëkëmbjes.

Dhe për fund, dua dhe një herë të falënderoj të gjithë që janë solidarizuar jo vetëm me mjete financiare, por kanë ofruar edhe ndihmën e tyre profesionale, kanë ofruar çfarëdo që kanë patur mundësi, për shembull, hotelet e ndryshme janë ofruar që të mbajnë inxhinierët që erdhën nga Kosova pa patur nevojë ne që të paguajmë. Ka patur kompani ndërtimi që na ka ndihmuar me lyerjen dhe sanimin e dëmtimeve të vogla nëpër shkolla, gjithashtu në baza vullnetare. Psikologët dhe punonjësit socialë janë angazhuar në baza vullnetare, ndaj dua që t’i falënderoj të gjithë për këtë solidaritet të treguar. Ka qenë prekëse me të vërtetë, por jam shumë mirënjohëse që kisha mundësinë të shoh dhe përjetoj një mobilizim solidaritet të tillë.

 

Faleminderit.