Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

 

Pas betimit tek Presidenti i Republikës, znj. Besa Shahini ka marrë zyrtarisht detyrën e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ministrja e re është pritur nga ish-ministrja Lindita Nikolla së bashku me stafin e institucionit që drejtoi për mbi 5 vite për të uruar ministren që do të mbajë drejtimin e institucionit në vijim. Në fjalën e saj znj. Nikolla shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët të cilët funksionuan si një skuadër përball sfidave dhe reformave të ndërmarra duke bërë edhe një retrospektivë të arritjeve në sistemin arsimor.

Kemi bërë shumë në fakt, kemi mundur të ndërtojmë 4 sisteme të reja, sistemi i kurrikulës se re në arsimin parauniversitar, sistemin e punësimit të mësuesve, sistemi i trajtimeve dhe kualifikimeve dhe sistemi i pranimeve në universitet. Kemi mundësuar 4 instrumente bashkëkohorë të transparencës. Besoj të gjithë i mbajnë mend 13 masa të forta që kemi marrë në sistemin arsimor dhe njëherësh 11 prioritete të reja dhe nisma të reja të cilat do të marrin jetë falë punës së Besës dhe të gjithëve ju. Unë nuk besoj tek fjalët, fjalët i merr era dha ajo që mbetet është puna. Ju i dini fare mirë tërsëllimat mbi kokën tonë kur vendosëm të mbyllim 22 universitete. Por koha e provoi se sa të drejtë kishim. E mbani mend edhe gjithë llumin e baltës turrur drejt nesh kur filluam portalin “Mësues për Shqipërinë”, kur filluam skemën e re të pranimeve për në universitet, akreditimin e  universiteteve etj. Por koha besoj do të na japë të drejtë sepse puna jonë ka qenë e tillë, punë e nisur drejt pozitives, punë për të transformuar gjithçka që ne binim dakord që është e nevojshme për t’u transformuar.”- deklaroi Nikolla

Në drejtimin e këtij institucioni znj. Lindita Nikolla nuk la pa përmendur edhe motivuesit e saj kryesor që diktonin edhe punën e përditshme. Gjë për të cilën mendon se ka ende shumë për të bërë, dhe beson se nën drejtimin e ministres së re do të arrihen suksese edhe më të mëdha.

“Unë doja t’u drejtohesha gjithë mësuesve sepse kanë qenë një motiv shumë i fortë në punën time. Nuk e di nëse ja kam dalë nëse kam qenë shembull i mirë për ta, por di që në asnjë çast nuk kam harruar mësuesen brenda Linditës ministre. Për shumë njerëz kjo ka qenë një pikë e dobët por për mua ka qenë një pikë e fortë që më ka ndihmuar shumë. Unë e di dhe jam besimplotë se ka ende shumë për të bërë. Por bashkë me Besën kemi pasur të gjithë rastin në një vit e gjysmë të jetë pjesë e përpjekjes tonë të përbashkët për të realizuar shumë nga objektivat tona. Ju do të arrini shumë më shumë e shumë më tepër, e unë veç do të krenohem me ju. Kush punon një ditë patjetër do t’i marr rezultatet e veta, por edhe ai që punon gabon. Ju keni vetëm suksesin, gabimi është vetëm i imi. Suksese!”- theksoi Nikolla

Ministrja Besa Shahini para stafit të institucionit që do të drejtojë vlerësoi mundësinë që ish-ministrja Nikolla i dha gjatë ushtrimit të detyrës së saj si zëvendësministre. Znj Shahini vlerësoi kurajon dhe reformat e ndërmarra të cilat sipas saj do të mbahen mend gjatë në sistemin arsimor shqiptar.

Vlerësoj kurajon për të bërë ndryshimet, si në arsimin paraunivesitar dhe në arsimin e lartë. Është për t’u lavdëruar sot dhe për t’u përmendur shumë e shumë vite më pas kurajoja për të mbyllur universitetet, është për t’u lavdëruar sot dhe për t’u përmendur shumë e shumë vite më pas. Ndryshimi i kurrikulës, portali “Mësues për Shqipërinë”, edhe për mua ka qenë fantastike të jem këtu afër dhe të shoh se si ke durimin të marrësh mendimin e të gjithëve, ti dëgjosh të gjithë para se ta marrësh një vendim. Unë vetëm shpresoj që të kem mësuar mjaftueshëm nga ju që të mund t’i përdor disa nga këto teknika, që të çojmë deri në fund reformat që ke nisur, që janë të padiskutueshme. Ndryshimi më i madh që ka ndodhur në sistemin arsimor në Republikën e Shqipërisë këtë 20-vjeçarin e fundit. Të falënderoj për mundësinë që mu dha, për ndihmën dhe shpresoj të kemi afër këto muajt e fillimit dhe gjithmonë të kemi pranë sepse punë këtu është rezultat i punës tënde.” – deklaroi znj. Shahini

Pas fjalëve të rastit, ish-ministrja Nikolla shoqëroi për në zyrë ministren Besa Shahini ku dhe i uroi suksese në rrugëtimin e mëtejshëm në drejtimin e arsimit shqiptar.