Ministria e Arsimit dhe Sportit

Në interpelancë parlamentare ku sqarova edhe një herë se roli i MASR për zgjedhjet e autoriteteve dhe organeve drejtuese në universitete është minimal. Shteti ka për detyrë të sigurojë autonominë e universiteteve, rrjedhimisht të respektojë faktin që këto institucione do të zhvillojnë vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Roli gati ceremonial i caktimit të datës së zgjedhjeve i është deleguar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga vetë IAL-të përmes rregulloreve të zgjedhjeve. Edhe caktimi i datës 30 korrik është kërkesë e vetë IAL-ve.

Në fund të qershorit, rektorët e universiteteve publike më shprehën pamundësinë për të vijuar normalisht punën në IAL, pasi mandatet e tyre u kishin skaduar. Këtë na e konfirmuan edhe studentët e shumtë që nuk merrnin shërbimet e duhura për shkak të skadimit të mandateve të udhëheqësve.

Duke marrë parasysh që deri më 7 gusht vijon procesi mësimor dhe ai i provimeve, si dhe është liruar transporti publik, rektorët më kërkuan të caktoj datën 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në tashmë kemi nisur një punë kolosale në kuadër të “Paktit për Universitetin” në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë dhe jetës studentore, por e gjithë kjo punë nuk do të japë rezultatet e duhura nëse IAL-të nuk reflektojnë të njëjtin vullnet për shërbime të mira ndaj studentëve, dhe nëse në krye të IAL-ve nuk kemi njerëz me integritet të lartë akademik.

E kemi tejkaluar tashmë fazën kur PD lejonte hapjen e universiteteve “kioska” që jepnin diploma fallco dhe prodhonin doktorantë për 6 muaj. Këto janë mbyllur nga qeverisja e PS-së dhe janë vendosur standarde në përfitim të gradave shkencore.

Por, ka ende shumë punë për t’u bërë. Prandaj, meqë jemi edhe një javë para zgjedhjeve në universitete, u bëj thirrje të gjithë zgjedhësve – pedagogëve dhe studentëve – që të votojnë kandidatët më të mirë, në mënyrë që IAL-të të drejtohen nga drejtues me integritet, të zellshëm dhe të kenë vizion të udhëheqin me institucione që ende nuk janë reformuar plotësisht.

 

 

https://www.facebook.com/1980444878879282/posts/2629518373971926/?d=n